AUV tërheq nga tregu “Flips Ketchup” për shkak të alergjenit qumësht

AUV tërheq nga tregu “Flips Ketchup” për shkak të alergjenit qumësht

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor “Flips Ketchup”, të prodhuesit PESTOVA L.L.C., pas një njoftimi përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

Njoftimi, me numër 2026.8267, lidhet me mosdeklarimin e pranisë së alergjenit qumësht në këtë produkt. Gjatë një kontrolli zyrtar në Slloveni, nga produkti është marrë mostër dhe analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e gjurmëve të qumështit.

Sipas vlerësimit të riskut në kuadër të njoftimit RASFF, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët të cilët janë të ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht.

Pas pranimit të njoftimit, AUV ka nisur menjëherë procedurat e gjurmueshmërisë për prodhimin dhe tregtimin e produktit. Inspektorët e AUV-së kanë kryer kontroll zyrtar te operatori PESTOVA SHPK, me qëllim të verifikimit të rastit, konstatimit të gjendjes dhe ndërmarrjes së masave përkatëse.

Gjatë kontrollit është konstatuar se produkti “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, ishte ende i pranishëm në stok. Sipas dokumentacionit të operatorit, nga ky lot janë prodhuar gjithsej 20,406 pako, të cilat më pas janë eksportuar në disa vende.

AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik që të bëjë tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit të këtij loti. Gjithashtu, është ndaluar shitja dhe distribuimi i sasisë së mbetur në depo.

Po ashtu, është vendosur masë kufizuese për prodhimin dhe vendosjen në treg të produktit të ri, deri në kryerjen e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit të produktit.

Mbikëqyrja e zbatimit të urdhëresave do të vazhdojë deri në përfundimin e procedurave. Pas marrjes së rezultateve të analizave laboratorike, AUV do të vendosë për fatin e produktit, bazuar në rezultatet e analizave dhe në përputhjen e etiketimit me kërkesat ligjore për deklarimin e saktë të përbërësve.

Të dhënat e produktit

  • Nr. i njoftimit RASFF: 2026.8267
  • Produkti: Flips Ketchup
  • Prodhuesi: PESTOVA L.L.C., Kosovë
  • Lot: FK 04/26
  • Data e skadimit: 11.02.2027
  • Rreziku i identifikuar: Prania e gjurmëve të alergjenit qumësht dhe mosdeklarimi i tij

AUV apelon për kujdes nga konsumatorët

AUV u bën thirrje konsumatorëve që të kenë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore dhe, nëse në treg hasin produktin që përputhet me të dhënat e mësipërme, ta njoftojnë menjëherë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Konsumatorët që e kanë këtë produkt në shtëpitë e tyre këshillohen të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, thekson se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AUV do të vazhdojë monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave përkatëse për çdo rast që mund të paraqesë rrezik për sigurinë ushqimore.

/Motilokal.com