Stuhi e fuqishme godet verilindjen e SHBA-së, përmbytje dhe dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike

Stuhi e fuqishme godet verilindjen e SHBA-së, përmbytje dhe dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike

Një stuhi e fuqishme po godet për të dytën ditë radhazi zonat bregdetare në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një tjetër valë përmbytjesh në zonat e ulëta dhe duke lënë dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike.

Valët e larta të baticës përmbytën të dielën lagjet e ulëta në Nju Xhersi, ndërsa erërat e forta rrëzuan pemë në Long Island, në Nju Jork, duke dëmtuar banesa dhe shtylla të rrjetit elektrik.

Në qytetin e Nju Jorkut, rrugët në lagjen Howard Beach, në zonën e Kuinsit (Queens), u përfshinë nga përmbytjet.

Stuhia, e cila po lëviz ngadalë dhe shkaktoi vdekjen e një punonjësi të Autoritetit të Strehimit të qytetit të Nju Jorkut, pasi një pemë ra mbi të të shtunën, pritej të vazhdonte edhe gjatë së dielës. Parashikimet paralajmëronin reshje të dendura, erëra të forta dhe dallgë të rrezikshme deri në rajonin e Anglisë së Re.

Reshjet jashtëzakonisht të dendura, me mbi 10 centimetra shi të regjistruar që nga e premtja në disa zona të Nju Xhersit, të kombinuara me nivelin e lartë të ujërave të oqeanit, shkaktuan përmbytje të papara prej gati një dekade në disa zona që janë mësuar të përballen me nivele të larta të ujit, thanë banorët.

Stuhia, e njohur si nor'easter, riktheu kujtimet e uraganit Sendi (Sandy), i cili në vitin 2012 shkaktoi dëme prej më shumë se 60 miliardë dollarësh në lindje të SHBA-së.

Megjithëse ndikimi i stuhisë aktuale nuk krahasohet me atë të uraganit Sendi, ajo mund të jetë e para e disa stuhive që pritet të godasin Bregun Lindor gjatë kësaj vjeshte, në kushtet kur fenomeni klimatik El Niño po ndikon në modelet e motit këtë vit.

Pamjet e dallgëve që përplaseshin mbi muret mbrojtëse bregdetare dhe në plazhe kanë ngritur shqetësime për erozionin e vijës bregdetare.

Sipas të dhënave të publikuara nga PowerOutage.us, në disa momente të së dielës, më shumë se 100 mijë abonentë në verilindje dhe në rajonin e Atlantikut të Mesëm mbetën pa energji elektrike. Ndërprerjet më të përhapura u regjistruan në qarqet përgjatë bregdetit, nga Nju Xhersi deri në Konektikat.

Probleme u raportuan edhe në trafikun ajror, ku shumë fluturime u anuluan ose u vonuan përgjatë bregdetit.

Më shumë se 250 fluturime ishin anuluar në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit deri në orët e vona të mëngjesit të së dielës, ndërsa erërat arritën shpejtësinë 64 kilometra në orë, sipas Autoritetit Portual të Masaçusetsit.

Reshjet më intensive që priteshin të vazhdonin gjatë së dielës do të përqendroheshin nga veriu i Nju Xhersit deri në jug të rajonit të Anglisë së Re.

Edhe pse stuhia po dobësohej gradualisht, përmbytjet e shkaktuara nga baticat pritej të vazhdonin gjatë cikleve të baticës së lartë të dielën në mbrëmje, deklaroi Bob Oravec, parashikues kryesor i motit në Shërbimin Kombëtar të Motit, me seli në Kolexh Park, Merilend.

/Motilokal.com