Kurti paralajmëron pesë diga të reja në Kosovë, synohet fuqizimi i bujqësisë

Kurti paralajmëron pesë diga të reja në Kosovë, synohet fuqizimi i bujqësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimi rural dhe modernizimi i bujqësisë janë prioritete strategjike për vendin, duke theksuar nevojën për investime në ujitje, përpunim vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore.

Këto komente Kurti i bëri gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 22-të të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, me temën “Zonat rurale reziliente dhe sistemet ushqimore të qëndrueshme: qeverisja, kornizat e politikave dhe sfidat strukturore”, e organizuar nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM) dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se Kosova ka potencial të konsiderueshëm bujqësor, falë tokës pjellore, burimeve natyrore, traditës bujqësore dhe kapaciteteve njerëzore, por përballet edhe me sfida strukturore dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Ai tha se synimi i Qeverisë nuk është vetëm mbështetja e bujqësisë, por edhe transformimi i saj, përmes investimeve që rrisin prodhimin, cilësinë dhe vlerën e produkteve vendore.

“Duam të investojmë në ujë dhe ujitje, në shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit, në mënyrë që fermerët tanë t’i shtojnë vlerë prodhimeve të tyre, në vend që të eksportojnë produkte të papërpunuara dhe të importojnë produkte të gatshme”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se në kuadër të investimeve në infrastrukturën ujore synohet ndërtimi i rezervuarëve të ujit përmes pesë digave të reja në Kosovë. Po ashtu, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së tokës bujqësore, fuqizimit të përpunimit vendor dhe krijimit të lidhjeve më të forta ndërmjet fermerëve, industrisë dhe konsumatorëve.

Kryeministri u ndal edhe te nevoja për mbështetjen e të rinjve dhe grave në zonat rurale, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon mundësi më të mëdha për punësim, përfaqësim dhe të ardhura.

Sipas tij, politikat bujqësore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt prodhimit, cilësisë, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, në vend të mbështetjes së bazuar kryesisht në sipërfaqet e tokës dhe numrin e krerëve të bagëtive.

Kurti theksoi gjithashtu se siguria ushqimore nuk mund të mbështetet vetëm te tregjet ndërkombëtare, pasi pandemia, luftërat dhe çrregullimet në zinxhirët e furnizimit kanë dëshmuar rëndësinë e kapaciteteve vendore prodhuese.

Ai vuri në pah rolin e universiteteve dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në kërkimin shkencor dhe hartimin e politikave publike, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me rrjetet evropiane për zhvillimin rural.

Duke folur për integrimin evropian, Kurti tha se diskutimet mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034 janë me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi do të ndikojnë në mbështetjen e fermerëve dhe institucioneve për vitet e ardhshme.

“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, e kjo nënkupton zgjedhje dhe përcaktim për vlerat, institucionet dhe standardet sipas të cilave duam të jetojmë, përfshirë këtu standardet e ushqimit që vendosim në tryezat tona”, u shpreh ai.

Në përfundim, Kurti theksoi se zhvillimi i zonave rurale është i domosdoshëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, duke nënvizuar se një ekonomi më e fortë kërkon bujqësi më produktive dhe një sistem ushqimor më të sigurt.

/Motilokal.com