Rama në Samitin e Euronews 2026: Shqipëria po shndërrohet në një destinacion global turistik

Rama në Samitin e Euronews 2026: Shqipëria po shndërrohet në një destinacion global turistik

Kryeministri Edi Rama foli për zhvillimin e turizmit dhe transformimin e Shqipërisë në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar ndërkombëtar, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Euronews 2026.

Duke folur për potencialin turistik të vendit, Rama tha se Shqipëria tashmë ka mundësinë t’i prezantojë botës një tjetër imazh, përtej stereotipeve që, sipas tij, e kanë shoqëruar vendin për vite me radhë.

“Synimi ynë është bota. Ne po punojmë në bazë të një plani, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që në fund të fundit, për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten dhe kjo është ajo çfarë po bëjmë”, u shpreh ai.

Rama vuri në dukje disa prej karakteristikave që, sipas tij, e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për turistët, duke përmendur sigurinë, klimën, gastronominë, mikpritjen, si dhe larminë e peizazheve natyrore.

“Shqipëria është një prej vendeve më të sigurta në Europë. Është një vend ku cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim jashtëzakonisht të shijshëm dhe njerëz shumë mikpritës. Kemi dy dete, kemi nëntë lumenj dhe të gjitha llojet e maleve të mrekullueshme”, tha Kryeministri.

Sipas Ramës, kjo shumëllojshmëri i mundëson turistëve të përjetojnë eksperienca të ndryshme brenda një periudhe të shkurtër.

Ai foli edhe për rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj dhe zgjerimin e tregjeve turistike. Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend me rreth 2 milionë turistë në një destinacion që vitin e kaluar regjistroi afro 12 milionë vizitorë të huaj.

“Ne po zbulojmë se të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues numëronim 2 milionë turistë dhe kjo shifër përfshinte dhe çdo shqiptar që dilte apo hynte në vend. Ndërkohë që vitin e kaluar përfunduam me afro 12 milionë të huaj”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se rritja nuk lidhet vetëm me turistët europianë, por edhe me vizitorë nga tregje të largëta, duke përmendur Japoninë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine, Australinë, Kinën, Izraelin dhe vendet e Lindjes së Mesme.

Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal edhe te infrastruktura dhe zhvillimi i transportit ajror. Rama pranoi se Shqipëria nuk ka infrastrukturën më të zhvilluar në Europë, duke bërë një krahasim me Brukselin, por argumentoi se rritja e interesit turistik ndaj Shqipërisë tregon se vendi po fiton një pozicion të rëndësishëm në hartën turistike europiane.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Rama ia kushtoi aeroportit të Tiranës, për të cilin tha se prej disa vitesh po regjistron ritmet më të larta të rritjes në Europë.

Sipas tij, aeroporti i Tiranës ka kaluar në volum edhe aeroporte të rëndësishme rajonale, përfshirë atë të Beogradit.

Rama bëri të ditur gjithashtu se së shpejti pritet të vihet në funksion aeroporti i Vlorës, ndërsa paralelisht po punohet edhe për një aeroport të tretë në jug të vendit, i cili do të ketë karakter sezonal.

Kryeministri përmendi edhe një projekt për një aeroport të katërt në zonat malore, megjithëse, sipas tij, ky aeroport ende nuk po funksionon në nivelin e synuar.

/Motilokal.com