Për herë të parë në Kosovë po ndërmerret një nismë për heqjen e një dige me qëllim rikthimin e rrjedhës së lirë të një lumi.
Bëhet fjalë për digën në lumin Mirusha, e cila, sipas organizatës Ecopana, është në gjendje të degraduar dhe pengon rrjedhën natyrore të lumit. Grumbullimi i ujit dhe sedimenteve pas digës ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me rrezikun e vërshimeve dhe sigurinë e banorëve që jetojnë pranë lumit.
Ecopana ka bërë të ditur se, pas raporteve, studimeve profesionale dhe koordinimit ndërinstitucional, ka nisur puna për heqjen e kësaj barriere. Nisma është në përputhje edhe me vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për largimin e barrierave të vjetruara nga lumenjtë dhe rikthimin e rrjedhës së tyre të lirë.
Lumi Mirusha ka rëndësi të veçantë edhe për biodiversitetin. Në këtë zonë është zbuluar edhe një lloj i ri merimange për shkencën, Eratigena mirusha, e cila mban emrin e lumit.
Pas heqjes së digës, synohet rikthimi i shtratit të lumit dhe monitorimi i tij. Sipas Ecopanës, përvoja e krijuar gjatë këtij procesi pritet të shërbejë edhe për projekte të tjera të ngjashme në lumenjtë e Kosovës.
Nisma po realizohet me mbështetjen e Open Rivers Programme, të cilën Ecopana e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Heqja e digës së Mirushës shënon kështu një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të rrjedhës natyrore të lumenjve në Kosovë.
/Motilokal.com
