Cila është shpejtësia ideale për të kursyer karburant?

Cila është shpejtësia ideale për të kursyer karburant?

Për shumë vite, shpejtësia prej 90 km/h është konsideruar si një nga ritmet më ekonomikë për drejtimin e automjetit. Megjithatë, të dhënat e një studimi të kryer nga qendra franceze e ekspertizës Cerema sugjerojnë se konsumi minimal mund të arrihet në një shpejtësi më të ulët, rreth 70 km/h.

Efikasiteti i një automjeti nuk përcaktohet vetëm nga shpejtësia. Në konsum ndikojnë edhe rrotullimet e motorit, marshi i përdorur dhe mënyra e funksionimit të tij. Kur automjeti lëviz me shpejtësi të ulët në marshe të papërshtatshme, motori mund të punojë me më shumë rrotullime dhe të kërkojë më shumë karburant.

Sipas të dhënave të Cerema, konsumi i karburantit ndryshon në mënyrë të ngjashme me një kurbë në formë U-je. Në shpejtësi shumë të ulëta, veçanërisht nga 10 deri në 40 km/h, konsumi është relativisht i lartë. Me rritjen graduale të shpejtësisë, konsumi bie dhe arrin nivelin më të favorshëm rreth 70 km/h.

Në këtë pikë krijohet një ekuilibër mes funksionimit efikas të motorit, kohës së udhëtimit dhe rezistencës së ajrit. Por, pasi shpejtësia kalon këtë nivel, konsumi nis të rritet përsëri.

Një nga arsyet kryesore është rezistenca aerodinamike. Ajo rritet në mënyrë katrore me shpejtësinë, ndaj një automjet që lëviz më shpejt duhet të shpenzojë gjithnjë e më shumë energji vetëm për të përballuar rezistencën e ajrit.

Për shembull, kalimi nga 100 në 120 km/h mund të sjellë rreth 20 për qind më shumë konsum karburanti. Efekti bëhet edhe më i rëndësishëm te automjetet elektrike, pasi rritja e shpejtësisë çon në konsum më të madh të energjisë dhe, rrjedhimisht, në ulje të autonomisë.

Edhe ndryshimi mes 110 dhe 130 km/h mund të rezultojë në më shumë se 25 për qind konsum shtesë, sipas të dhënave të testeve të përmendura në studim.

Kjo tregon se drejtimi shumë i ngadaltë nuk është domosdoshmërisht mënyra më ekonomike, ndërsa shpejtësitë e larta sjellin një kosto më të madhe për shkak të rezistencës së ajrit.

Sipas të dhënave të studimit, rreth 70 km/h përfaqëson një pikë të favorshme mes konsumit të karburantit, efikasitetit të motorit dhe kohës së udhëtimit. Megjithatë, konsumi real ndryshon në varësi të llojit të automjetit, motorit, peshës, gomave, kushteve të rrugës dhe mënyrës së drejtimit.

/Motilokal.com