Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mori pjesë në Forumin Euromesdhetar të Ujit 2026, që u zhvillua në Romë të Italisë, ku përfaqësues nga institucionet evropiane dhe vendet e Mesdheut diskutuan për sfidat dhe prioritetet në menaxhimin e burimeve ujore.
Gjatë panelit “Vizioni i Ri Evropian për Ujin”, Jaupaj u ndal te roli i Shqipërisë dhe vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në përballimin e sfidave që lidhen me ujin. Ai vuri theksin te nevoja për reforma institucionale, forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e investimeve për mbrojtjen e burimeve ujore, si dhe për përballimin më të mirë të përmbytjeve dhe periudhave të thatësirës.
Sipas Jaupajt, bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve mesdhetarë duhet të intensifikohet në mënyrë që prioritetet e përbashkëta të shndërrohen në projekte konkrete me ndikim te qytetarët dhe ekosistemet.
“Drejt vitit 2030, na duhet më shumë bashkëpunim mes BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve mesdhetarë, për t’i kthyer prioritetet e përbashkëta në projekte konkrete për qytetarët dhe ekosistemet tona”, deklaroi Jaupaj.
Në kuadër të forumit, ministri zhvilloi gjithashtu një takim me Charles Calestroupat, zëvendëspresident i Microsoft për Evropën Jugore. Diskutimet u përqendruan te përdorimi i teknologjisë dhe transformimi digjital në administrimin e burimeve ujore.
Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte edhe Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore, e cila synon të mundësojë integrimin dhe administrimin më efikas të të dhënave, duke kontribuar në një menaxhim më modern dhe të qëndrueshëm të ujit.
/Motilokal.com
