Rizvanolli: Kosova ofron mundësi tërheqëse për investime në energjinë e gjelbër

Rizvanolli: Kosova ofron mundësi tërheqëse për investime në energjinë e gjelbër

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova po krijon një mjedis të favorshëm për investime në sektorin e energjisë së gjelbër.

Rizvanolli i bëri këto deklarata në Forumin Kosovë–Luksemburg për Financimin me Ndikim, i cili u përqendrua në mobilizimin e investimeve private në Kosovë dhe në forcimin e sektorit financiar për të mbështetur financimin e tranzicionit të gjelbër.

“Kosova tashmë ofron një treg tërheqës, transparent dhe të parashikueshëm për investime në sektorin e energjisë së gjelbër”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se gjatë pesë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa për krijimin e bazës së nevojshme për transformimin e sektorit energjetik. Sipas saj, kjo përpjekje mbështetet në dy prioritete kryesore: rritjen e prodhimit vendor të energjisë nga burimet e ripërtërishme dhe rritjen e efiçiencës së energjisë në të gjithë ekonominë.

Në forum morën pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të fushave përkatëse.

/Motilokal.com