Dy kompani amerikane ofertojnë për ndërtimin e baterive në Kosovë

Dy kompani amerikane ofertojnë për ndërtimin e baterive në Kosovë

Dy kompani amerikane kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se tash do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave, me synim që ndërtimi të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

Projekti parashikon një kapacitet prej 340 MWh, me bateritë që do të ndërtohen në Istog dhe Ferizaj. Sipas Rizvanollit, projekti përbën një nga investimet më të mëdha në sektorin e energjisë në Kosovë në dekadat e fundit.

Investimi është pjesë e Programit Kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i bashkëfinancuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së dhe Qeveria e Kosovës.

Rizvanolli ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për punën e përbashkët në kuadër të këtij projekti, i cili synon të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit.

/Motilokal.com