Policia Rajonale e Ferizajt, në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2026”, ka zhvilluar kontrolle në bashkëpunim me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës (APK), me qëllim parandalimin dhe luftimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të druve.
Më 2 tetor 2026, në fshatin Burrnik, zyrtarët policorë kanë asistuar ekipet e APK-së gjatë kontrolleve në terren. Gjatë këtij aksioni janë hasur dy mjete të ngarkuara me dru, një xhip me rimorkio dhe një traktor me rimorkio.
Me përcjellje të Policisë, mjetet janë dërguar në depon e pylltarisë, ku zyrtarët e APK-së kanë konfiskuar drutë dhe kanë ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale.
Kontrolle janë zhvilluar edhe nga zyrtarët e Stacionit Policor në Shtërpcë. Në fshatin Brod është identifikuar një furgon i ngarkuar me dru, ndërsa rasti është trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë institucionet përgjegjëse në mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive pyjore, si dhe në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin kujdestar 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.
/Motilokal.com
