Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar një vlerësim preliminar mbi llojet aliene dhe invazive të faunës në vend, duke evidentuar ndikimin e mundshëm të tyre në biodiversitet dhe në ekuilibrin e ekosistemeve natyrore.
Sipas vlerësimit, përhapja e këtyre llojeve, e nxitur nga aktivitetet njerëzore dhe lëvizja ndërmjet rajoneve, mund të rrezikojë speciet vendore përmes konkurrencës për burime, grabitjes, bartjes së patogjenëve dhe parazitëve, si dhe ndryshimit të habitateve natyrore.
Dokumenti përfshin një listë preliminare me 20 lloje aliene dhe invazive të faunës të evidentuara në Kosovë, ku bëjnë pjesë peshq, insekte dhe arachnide. Po ashtu, janë identifikuar 45 lloje invazive, hyrja e të cilave në territorin e Republikës së Kosovës duhet të parandalohet.
Vlerësimi trajton edhe rrugët e mundshme përmes të cilave këto lloje mund të hyjnë dhe të përhapen në vend. Ndër to përfshihen tregtia, transporti, akuakultura, peshkimi, aktivitetet turistike dhe rekreative, si dhe përhapja natyrore përtej kufijve.
Për secilin lloj janë paraqitur të dhëna taksonomike dhe referenca përkatëse, me qëllim që të krijohet një bazë e dokumentuar për identifikimin dhe trajtimin e këtij fenomeni.
Vlerësimi është përgatitur nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN), në bashkëpunim me Departamentin e Biologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas AMMK-së, ky dokument synon të shërbejë si bazë profesionale për zhvillimin e një qasjeje të integruar kombëtare për identifikimin, monitorimin, parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e llojeve aliene invazive të faunës në Kosovë.
/Motilokal.com
