Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë probleme në disa qytete të Shqipërisë

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë probleme në disa qytete të Shqipërisë

Pas disa ditësh me mot të ngrohtë dhe me diell, Shqipëria është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë nisur që gjatë mbrëmjes së kaluar dhe kanë vijuar edhe mëngjesin e kësaj të premteje, më 9 tetor.

Reshjet intensive kanë sjellë problematikat e para në disa qytete, ku në zona të caktuara është vërejtur grumbullim i ujit në rrugë dhe vështirësi në qarkullim.

Në Durrës, situata më problematike paraqitet në lagjen nr. 1, përgjatë aksit që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave. Në këtë segment ka prezencë të konsiderueshme uji në rrugë dhe mbi trotuare, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.

Probleme janë evidentuar edhe në disa kryqëzime pranë stadiumit “Niko Dovana”, në lagjen nr. 18, ku grumbullimi i ujit ka penguar qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve.

Në Tiranë, reshjet e dendura kanë rënduar ndjeshëm trafikun, veçanërisht gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas raportimeve, trafiku i rënduar ka nisur që rreth orës 07:00, ndërsa vështirësi në qarkullim janë regjistruar edhe në zonën e Kinostudios.

Ndërkohë, në Lezhë, reshjet e shiut kanë nisur që mbrëmjen e kaluar, por deri më tani nuk raportohen problematika të mëdha nga strukturat vendore. Megjithatë, në disa zona janë evidentuar rrëshqitje dherash, të cilat kanë krijuar vështirësi për drejtuesit e automjeteve. Autoritetet kanë dalë në terren për pastrimin e akseve rrugore, ndërsa në disa vendbanime është raportuar edhe mungesë e energjisë elektrike. Punonjësit e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji.

Emergjencat Civile në këtë qark janë në gatishmëri, në kuadër të situatës së paralajmëruar nga sinoptikanët. Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Në Shkodër, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa deri tani nuk raportohen problematika të shkaktuara prej tyre. Në pritje të reshjeve të parashikuara edhe për ditët në vijim, Emergjencat Civile kanë marrë masa në bashkëpunim me institucionet përkatëse për të parandaluar situatat problematike.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet zonave të Nën-Shkodrës, të cilat njihen për rrezikun e përmbytjeve gjatë periudhave me reshje intensive.

Me përkeqësimin e kushteve atmosferike, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat ku ka grumbullim të ujit, rrëshqitje dherash apo vështirësi në qarkullimin rrugor.

/Motilokal.com