Koha e mbjelljes së grurit, rekomandimet për fermerët

Koha e mbjelljes së grurit, rekomandimet për fermerët

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës u ka bërë thirrje fermerëve që t’i kushtojnë rëndësi të veçantë mbjelljes së grurit dimëror, duke theksuar se respektimi i afateve optimale dhe zbatimi i praktikave të duhura bujqësore janë thelbësore për rritjen e rendimenteve dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit.

Sipas ministrisë, gruri është kultura bujqësore që zë sipërfaqet më të mëdha të kultivuara në Kosovë, por rendimentet e ulëta shpeshherë lidhen me moszbatimin e agroteknikës së duhur, përdorimin e farërave jo cilësore dhe plehërimin e pakontrolluar.

Për këtë arsye, fermerëve u rekomandohet që të përdorin teknologji moderne të kultivimit dhe të ndjekin udhëzimet agronomike gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të bimës.

Ministria ka dhënë disa rekomandime kryesore për mbjelljen e grurit dimëror. Përgatitja e tokës duhet të bëhet me kohë dhe në mënyrë cilësore, ndërsa afati optimal i mbjelljes është nga 5 deri më 30 tetor, në varësi të kushteve atmosferike. Mbjellja në periudhën e duhur ndihmon në zhvillimin më të mirë të bimëve, përballimin e dimrit dhe sigurimin e rendimenteve më të larta.

Një rëndësi të veçantë ka edhe përzgjedhja e farës. Ministria rekomandon përdorimin e farërave të certifikuara dhe të trajtuara kundër sëmundjeve, si dhe konsultimin me këshilltarët bujqësorë për zgjedhjen e varieteteve të përshtatshme për kushtet agroekologjike të vendit.

Po ashtu, mbjellja me makina bujqësore konsiderohet më e përshtatshme, pasi mundëson shpërndarje të njëtrajtshme të farës dhe mbjellje në thellësi të njëjtë.

Sa i përket plehërimit, fermerëve u rekomandohet të kryejnë analiza të tokës për të përcaktuar nevojat për lëndë ushqyese. Fosfori dhe kaliumi duhet të jepen para ose gjatë mbjelljes, ndërsa azoti të ndahet në dy deri në tri doza gjatë periudhës së vegjetacionit, sipas nevojave të kulturës.

Ministria këshillon gjithashtu që gruri të mbillet në kuadër të qarkullimit bimor, duke shmangur kultivimin e tij për disa vite radhazi në të njëjtën parcelë. Si para kultura të përshtatshme përmenden bishtajoret, misri dhe perimet.

Fermerët këshillohen që para mbjelljes të kontrollojnë tokën për barërat e këqija, të sigurojnë kontakt të mirë të farës me dheun dhe të monitorojnë parcelat për shfaqjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve gjatë dimrit dhe pranverës.

Në fund, MBPZHR-ja u ka bërë thirrje fermerëve që për këshilla dhe mbështetje shtesë t’u drejtohen këshilltarëve bujqësorë në komunat e tyre ose Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike të ministrisë.


/Motilokal.com