Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, Inspektorati i MMPH-së ka ndërmarrë masa ndaj disa kompanive që kanë ushtruar veprimtarinë pa lejet përkatëse mjedisore.
Sipas njoftimit të saj në Facebook, gjobë është shqiptuar ndaj një kompanie për përpunimin e betonit në Gjilan. Ndërkaq, dy kompanive në Klinë dhe një fabrike në Lipjan u është kërkuar ndërprerja e punës, pasi kanë operuar pa lejet e nevojshme mjedisore.
Kontrollet e inspektoratit kanë përfshirë edhe gurthyesit, si dhe operatorët që merren me përpunimin e mishit dhe produkteve të qumështit. Fokus i inspektimeve ka qenë respektimi i lejeve mjedisore dhe mbrojtja e ujërave.
Pacolli ka bërë të ditur se inspektorati po monitoron edhe zbatimin e vendimeve të marra më herët, ndërsa po trajton vazhdimisht edhe ankesat e pranuara nga qytetarët.
Ajo ka theksuar se ndotja dhe aktivitetet në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen, duke paralajmëruar vazhdimin e inspektimeve dhe të masave ligjore.
/Motilokal.com
