Një person është gjobitur me 1,000 euro për hapjen ilegale të një rruge në Bjeshkën e Lybeniqit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se zyrtarët e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në bashkëpunim me Policinë, kanë dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informacioneve për ndërhyrjen ilegale.
Sipas Pacollit, ndaj punëkryesit është ngritur procesverbal dhe është shqiptuar gjobë mandatore në vlerë prej 1,000 eurosh. Ajo bëri të ditur se ky është rasti i dytë i evidentuar në të njëjtin lokacion.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria, ndërsa pritet të ndërmerren hapa të mëtejshëm ligjorë.
Ministrja Pacolli ka theksuar se institucionet nuk do të lejojnë ndërhyrje të tilla që dëmtojnë natyrën dhe se do të përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
/Motilokal.com
