Ministria e Ekonomisë ka ndarë 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në kuadër të mbështetjes për projektet që synojnë kursimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.
Marrëveshja për transferimin e mjeteve është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit, Njomza Hoxha.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kjo mbështetje synon të avancojë aktivitetet e Fondit në zbatimin e masave për përdorim më efikas të energjisë dhe uljen e shpenzimeve për qytetarët.
Që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e Fondit, ndërsa përkrahja është realizuar edhe përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Investimet e Fondit përfshijnë renovimin e shtëpive individuale, ndërtesave shumëbanesore dhe institucioneve publike, me qëllim të uljes së konsumit të energjisë dhe kostove të faturave.
Përmes këtyre investimeve, synohet që qytetarët të kenë banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, si dhe të përfitojnë nga kursimet afatgjata të energjisë.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbështetjen për programet që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.
/Motilokal.com
