Nga nesër në Kosovë hapen çerdhet, kafiteritë, kufijtë dhe qendrat tregtare

Nga nesër në Kosovë hapen çerdhet, kafiteritë, kufijtë dhe qendrat tregtare

Qeveria në detyrë ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku ka ndërmarrë vendim që t’i shfuqizojnë disa nga vendimet që kishin marrë në fillim të përhapjes së koronavirusit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar vendimet të cilat më pas janë votuar edhe nga ministrat e tjera në mbledhjen e Qeverisë.

“Rihapja e kopshteve dhe çerdheve nga mosha 0 deri në 5 vjeç, përgatitjet për testin e arritshmërisë, kthimi në shkollë i klasave të nënta, organizimi i ambientit për testin e maturës”, ka thënë Vitia.

Ai po ashtu ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi për vetizolim. Të shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve, të hapen të gjitha pikat kufitare në Kosovë. Ata që vijnë nga jashtë dhe nuk e kanë kryer testin në afat kohor jo më shumë se 4 ditë, detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë. Shfuqizohet mbyllja e kafiterive, bareve restoranteve dhe qendrave tregtare.

Më tej ministri Vitia ka njoftuar se më 20 qershor do të bëhet vlerësimi i masave.

Shefi i Shëndetësisë bëri më dije se gjatë kësaj kohe do të ketë kontrolle të rrepta, për të parë nëse po respektohen masat e duhura në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID0-19.

“Fakti që ne po heqim gjithë këto masa nuk do të thotë se duhet të heqim dorë edhe nga kujdesi. Është e domosdoshme që të gjitha këshillat e IKSHPK-së të jenë të respektuara në plotni dhe t’i ndiqni me vëmendje vendimet e ardhshme të MSH-së”, theksoi ministri Vitia./Motilokal.com