Liqeni i Jazhincës, një nga bukuritë natyrore të rralla të Kosovës

Liqeni i Jazhincës, një nga bukuritë natyrore të rralla të Kosovës

Liqeni i Jazhincës është një nga liqet me lartësinë më të lartë mbi nivelin e detit, me rreth 2180 metra lartësi, është i vendosur në bjeshkët e Sharrit dhe bën pjesë në mesin e vendeve më të vizituara gjatë ditëve të nxehta të verës në Kosovë.

Ky liqe gjendet në rrënjë të majës Bistra.

Liqeni i Jazhincës e ka ngjyrë të errët të gjelbërt sikur safir dhe është i rrethuar nga shkëmbinj të mëdhenj.


Forma vezore e liqenit është interesante dhe e admiruar nga vizitorët, të cilët marrin rrugën për t’u ngjitur deri në këtë destinacion turistik.

Gjatësia e përafërt e tij është 120 metra dhe gjerësia e përafërt 80 metra, me thellësi të madhe.

Me ujë tepër të ftohtë, liqeni është i papërshtatshëm për not, edhe pse ka edhe të tillë (të paktë) që marrin guximin për t’u futur në të.

Klima, është nën ndikimin e klimës kontinentale me dimra të gjatë dhe reshje të mëdha të dëborës dhe verëra të freskëta. Si shkak i kësaj klime, temperaturat e ajrit janë më të ulëta për 10 deri në 15 °C se sa në fushat e Kosovës.

Kjo klimë ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit si gjatë dimrit ashtu edhe të stinëve të tjera./Motilokal.com