Temperaturat e ajrit në Prishtinë, 2009 – 2018 °C

Temperaturat e ajrit në Prishtinë, 2009 – 2018 °C

Klima e Republikës së Kosovës në pjesën më të madhe është kontinentale, duke rezultuar me verë të ngrohtë dhe dimër të ftohtë, me ndikime mesdhetare dhe kontinentale (temperatura mesatare brenda vendit luhatet nga + 30 °C në verë, në – 10 °C në dimër). Megjithatë, për shkak të ngritjeve të pabarabarta në disa pjesë të vendit, ka ndryshime në temperaturë dhe shpërndarjen e reshjeve.

Temperatura vjetore në Kosovë lëkundën në mes 9 °C në Podujevë e deri 12 °C në Prizren, në Dukagjin 11 °C, në rrafshin e Kosovës 10 °C, në viset submalore 7 °C, malore në mes 0 °C (Luboteni) dhe 2 °C në Kopaonik. Pra më i ngrohët është Dukagjini se rrafshi i Kosovës, Drenica e Llapi.

Në Kosovë janë të pranishme të gjitha format e reshjeve atmosferike. Reshjet më të rëndësishme janë në formën e shiut në lugina dhe reshjet në formën e borës në male. Në Kosovë ka mesatarisht 160 ditë me shi në vit.

Vlerat ekstreme pozitive të temperaturave në Kosovë lëvizin në mes +37 dhe 39 °C, ndërsa vlerat ekstreme negative në mes –22.5 °C dhe –32.5 °C. Vlerat ekstreme negative për fat të mirë në Kosovë janë më të rralla, përndryshe sjellin dëme të mëdha bujqësisë, sidomos hardhisë dhe pemëve.

Ditët me acar mesatarisht zgjasin rreth 90 ditë dhe më të shpeshta janë në rrafshin e Kosovës se të Dukagjinit. Periudha me temperatura nën zero zgjat prej dekadës së parë të tetorit e deri në dekadën e parë të prillit. Në Kosovë nuk janë të rralla ditët me temperatura në mes 25 °C e 30 °C, ndërsa numri i ditëve me temperatura tropike (mbi 30 °C) lëvizë në mes 25-30 ditë, më shumë në Dukagjin se ne Kosovë. Temperaturat tropike më shpesh paraqiten në korrik e gusht, por ato ndodhin edhe në qershor e maj.

Sa i përket masave ajrore, mbi Kosovë depërtojnë masa ajrore të ngrohta nga gjerësitë gjeografike tropike veriore dhe masa të ftohta nga gjerësitë gjeografike mesatare veriore. Në viset perëndimore dhe jugore dominojnë kryesisht masat ajrore të ngrohta detare, kurse në viset lindore dhe veriore mbizotërojnë masat ajrore kontinentale.

Tabela 1 tregon se në vitin 2017 temperatura maksimale ka qenë në Gusht 31.7° C, ndërsa në Gusht në vitin 2018 ka qenë 27.5 °C.

Tabela 2 në vijim tregon gjithsej numrin e ditëve më të reshura në Prishtinë sipas viteve, në shkurt 2017 numri më i madh i ditëve më të reshura ishte në maj 15 ditë, ndërsa ne vitin 2018 ka qenë në muajin mars, 23 ditë.

Përgatiti: Shkëlzen Rrecaj - /Motilokal.com/