
Në vendin tonë është gjendur koloni e dallëndyshes së detit që përmban deri në 3.3 % të popullatës së kontinentit europian të këtij lloji.
Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” përmes një njoftimi thotë se ky është një ndër raportimet më interesante që mbase është publikuar ndonjëherë mbi dallëndyshen e detit (Glareola pratincola) në vendin tonë. E thënë kjo, së pari për shkak të numrit të madh të çifteve folezuese që përfaqëson deri në 3.3 % të popullatës së përgjithshme të kontinentit Evropian dhe së dyti, kjo është një koloni krejtësisht e re (e gjetur ne fundsezonin e folezimit të vitit të kaluar) dhe e pa raportuar më parë.
Gjetja e kësaj kolonie së paku dyfishon numrin e çifteve folezuese të raportuara për këtë lloj në vendin tonë deri në vitin 2018.
“Dallëndyshja e detit është raportuar si folezuese vetëm në tre zona ligatinore të vendit tonë, dhe përkatësisht në Divjakë-Karavasta, në Lagunën e Nartës si dhe në Ligatinën e Erzenit. Është pikërisht kjo e fundit që e vetme përmban më shumë se gjysmën e popullatës folezuese të këtij lloji në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Shoqatës “Shpendët e Shqipërisë.
Vullnetarë të shpendëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me PPNEA dhe AdZM Fier (sipas zonave përkatëse) kanë kryer hartëzimin e saktë të kolonive si dhe monitorimin e popullatës folezuese të këtij lloji. Të dhënat për Divjakë-Karavastanë dhe Lagunën e Nartës do të publikohen në ditët në vijim.
“Ndonëse ky lajm përcjell optimizëm, nuk mund të lihet pa përmendur se habitati folezues i këtij lloji në vendin tonë është i rrallë dhe nga habitatet më të kërcënuara në vend, veçanërisht kur gjendet jashtë zonave të mbrojtura”, bëri të ditur kjo shoqatë./Motilokal.com