Koronavirusi është mësim për ne që të ndreqim marrëdhëniet e prishura me natyrën

Koronavirusi është mësim për ne që të ndreqim marrëdhëniet e prishura me natyrën

Në vitin 1997, një zonë e madhe e pyjeve të shiut në Azinë jug-lindore u dogj duke shkrumbuar edhe plantacionet e vajit të palmës. Një kombinim i shpyllëzimit, zjarreve të pyjeve dhe thatësirës besohet se kanë detyruar shumë lakuriqë të udhëtojnë larg habitateve të tyre në afërsi të fermave të derrave. Këto kushte çuan në shfaqjen e virusit Nipah, i cili kaloi nga lakuriqët tek derrat, dhe nga derrat te fermerët e derrave. Gjatë dy viteve të ardhshme, sëmundja do të vriste më shumë se 100 njerëz. Kjo duhet të ketë shërbyer si paralajmërim.

Tani, 20 vjet më vonë, ne po përballemi me një krizë shëndetësore në një shkallë krejt tjetër, me COVID-19 duke shkaktuar krizën më tragjike shëndetësore, sociale dhe ekonomike në kujtesën e gjallë, shkruan The Guardian.

Ne kemi parë që shumë sëmundje shfaqen ndër vite - të tilla si Zika, Aids, Sars dhe Ebola - dhe megjithëse në pamje të parë janë mjaft të ndryshme, të gjitha ato kanë origjinën nga kafshët. Dhe të gjitha na tregojnë se sjellja jonë shkatërruese ndaj natyrës po rrezikon vetë shëndetin tonë - një realitet i ashpër, të cilin kolektivisht e kemi injoruar për dekada. Hulumtimet tregojnë se shumica e sëmundjeve infektive që shfaqen janë të drejtuara nga aktivitetet njerëzore, transmeton Motilokal.com.

Trajtimi, konsumimi dhe tregtia e pasigurt e llojeve të jetës së egër me rrezik të lartë është vetëm një shembull i mënyrave me të cilat marrëdhënia jonë e prishur me natyrën po ndikon në shëndetin e njeriut. Në shumë vende, kafshët e egra kapen dhe sillen të gjalla në tregje për t'u shitur. Këto tregje mund të paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për njerëzit, jetën e egër dhe bagëtinë, duke sjellë specie me rrezik të lartë - shumë prej të cilave janë të rrezikuar - në kontakt të ngushtë me kafshë të tjera, duke krijuar kështu kushtet për përhapjen e sëmundjeve.

Rritja dhe forcimi i konsiderueshëm i rregullimit të sigurisë ushqimore, përfundimi i tregtisë së paligjshme i jetës së egër, dhe ofrimi i opsioneve alternative të jetesës për të zvogëluar konsumin e jetës së egër kudo janë hapa kritikë për të ndihmuar në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të ardhshme zoonotike.

Prandaj është inkurajuese të shohësh përparim në muajt e fundit: në shkurt, Kina njoftoi një ndalim të përkohshëm të tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra, të cilat tani po kërkon të bëjë të përhershme; ndërsa Vietnami ka sinjalizuar se mund të ndërmarrë hapa të ngjashëm për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së sëmundjes dhe parandalimin e shpërthimeve të ardhshme.

Ndërsa veprimi në tregtinë e paligjshme, të parregulluar dhe me rrezik të lartë të kafshëve të egra është i rëndësishëm, ne nuk duhet të bëjmë gabimin të mendojmë se është i mjaftueshëm. Ne gjithashtu duhet të trajtojmë urgjentisht çështjet themelore që po shkaktojnë shkatërrimin e natyrës.

Ne duhet të pranojmë se mënyra se si ne prodhojmë dhe konsumojmë aktualisht ushqim, dhe mosrespektimi ynë i mprehtë për mjedisin më gjerësisht, e ka shtyrë botën natyrore në limitet e saj. Natyra aktualisht po bie në nivel global në shkallë të pashembullt në historinë njerëzore, dhe kjo në të vërtetë po rrit rrezikshmërinë tonë ndaj sëmundjeve të reja, veçanërisht si rezultat i ndryshimit të përdorimit të tokës përmes aktiviteteve të tilla si shpyllëzimi, dhe intensifikimi i bujqësisë dhe blegtorisë. Këto shpërthime sëmundjesh janë fryt i marrëdhënies sonë të rrezikshme të pabalancuar me natyrën.

Ndërsa COVID-19 na ka dhënë edhe një arsye tjetër për të mbrojtur dhe ruajtur natyrën, ne kemi parë në të vërtetë të kundërtën. Nga lumi Mekongu e deri në Amazon dhe Madagaskar, raporte alarmante janë shfaqur raporte alarmante për rritje të gjuetisë, prerjeve të paligjshme dhe zjarrëvënies së pyjeve.

Ndërsa bota del nga kjo krizë, është thelbësore që qeveritë të rivendosin ekosistemet dhe t'i vendosin ekonomitë në një rrugë të qëndrueshme nëse do të zvogëlojmë ndjeshmërinë tonë ndaj kërcënimeve shëndetësore.

Ne duhet të përpiqemi për një rimëkëmbje të drejtë, të shëndetshme dhe të gjelbër, dhe të fillojmë një transformim më të gjerë drejt një modeli që vlerëson natyrën si pikë kyçe për një shoqëri të shëndetshme dhe një ekonomi të zhvilluar. Kjo nënkupton kalimin në praktika më të qëndrueshme, të tilla si bujqësia, hapësirat e gjelbra urbane dhe energjisë ekologjike.

Samiti i biodiversitetit të OKB-së i planifikuar në shtator, i ka ofruar udhëheqësve të botës një mundësi për të bërë diçka për ekosistemin natyror. Shpresojmë që çdo qeveri do të mari përgjegjësitë e veta dhe do të përshpejtojnë veprimet deri në vitin e ardhshëm.

Ri-balancimi i marrëdhënies sonë me natyrën do të kërkojë përpjekje dhe vendosmëri të bashkërenduar. Por gjithashtu do të krijojë një të ardhme më të shëndetshme dhe më të prosperuar për njerëzit dhe planetin, dhe do të na vendosë në një pozitë më të mirë për të parandaluar pandeminë tjetër. Me siguri, është një përpjekje që të gjithë duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë./Motilokal.com

Autorë: Marco Lambertini, Elizabeth Maruma Mrema dhe Maria Neira