Vapa, çfarë duhet të dimë për kërcënimin stinor? - Intervistë me dr. Jeton Zenuni

Vapa, çfarë duhet të dimë për kërcënimin stinor? - Intervistë me dr. Jeton Zenuni

Së bashku me verën vjen edhe rreziku i goditjes nga i nxehti. I nxehti i verës vjen edhe me një sërë vështirësish dhe problematikash shëndetësore, kryesisht për grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit.

Për të mësuar masat e mbrojtjes nga i nxehti i verës, media online Motilokal.com, bisedoi me dr. Jeton Zenuni, doktor i mjekësisë.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Zenuni, kemi hyrë në sezonin e verës dhe temperaturat kanë filluar të shënojnë rritje, ka nga ata që nuk mund ta durojnë të nxehtit por edhe që nuk i dinë dëmet që mund t’ju shkaktojë. Cilat janë efektet e të nxehtit mbi shëndetin tonë?

Fillimisht është e rëndësishme të kuptojmë se trupi ynë arrin të ruajë temperaturën e tij të brendshme në rreth 37 gradë Celsius, pavarësisht temperaturave në ambientin e jashtëm. Është temperatura në të cilën organizmiështë mësuar të funksionojë. Por, ndërsa merkuri në termometër ngritet lart, trupi bën çmos që të pengojë rritjen e temperaturës së brendshme. Nëse trupi është shumë i nxehtë, termostati në tru u dërgon impulse venave në lëkurë, të cilat zgjerohen dhe një sasi e madhe e gjakut të ngrohtë nga brenda kalon në lëkurë dhe e ftoh atë. Deri te ftohja shtesë e lëkurës dhe gjakut vije edhe si pasojë e avullimit të djersës, e cila del nga lëkura duke e ftohur atë dhe kështu indirekt e ftoh edhe gjakun që qarkullon në të. Gjaku i ftohur në këtë mënyrë kthehet në brendi të trupit dhe e ftoh atë. Dhe përsëri, kur termostati në tru vlerëson se temperatura është ulur mjaftueshëm, rrjedhja nëpër lëkurë zvogëlohet dhe djersitja ndalet. Pra, është e qartë se për një qëndrueshmëri të mirë të ndryshimeve në temperaturën e ambientit, është shumë e rëndësishme që enët e gjakut të jenë elastike dhe që ato të përshtaten lehtësisht dhe shpejt me nevojat e trupit.

Si mund të kuptojmë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore nga vapa?

Efektet e të nxehtit mbi shëndetin shfaqen atëherë kur sistemi i brendshëm i rregullimit të temperaturës nuk arrin të eliminojë sasinë e tepërt të nxehtësisë, me qëllim të ruajtjes së vlerave normale të temperaturës trupore. Deficitet e kompensimit së pari manifestohen me shenja dhe simptoma lehtësisht të korrigjueshme në momentit e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Mirëpo nëse ekspozimi vazhdon, atëherë shenjat dhe simptomat e dekompensimit bëhen më serioze dhe shfaqet ajo që njihet si goditja nga i nxehti. Goditja nga i nxehti është rezultat i ekspozimit të zgjatur në temperatura të larta, zakonisht i shoqëruar me dehidratimin, gjë që çon në dështimin e sistemit të kontrollit të temperaturës së trupit.

Kështu, goditja nga i nxehti është një urgjencë mjekësore me rrezik për jetën dhe shkaktohet nga pamundësia e organizmit për të ekuilibruar nxehtësinë trupore. Goditja nga i nxehti prek personat që ekspozohen në klimë të nxehtë dhe të lagësht, e të cilët nuk kanë marrë mjaftueshëm lëngje, kurse goditja klasike nga i nxehti prek më shpesh personat mbi 70 vjeç dhe individët që vuajnë nga sëmundjet kronike si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta.

Simptomat e goditjes nga i nxehti përfshijnë dobësi të përgjithshme që shoqërohen me dhimbje koke, të vjella, nauze, marramendje, humbje të vetëdijes, etje të shtuar, temperatura trupore të larta, ngërçe muskulore të shkaktuara nga dehidratimi, irritim të lëkurës dhe ënjtje të këmbëve. Në momentin kur lëngjet trupore bien në një pikë kritike,aftësia e trupit për t’u djersitur ndërpritet, lëkura bëhet e zbehtë, e thatë dhe e nxehtë, vjen te një rënie e tensionit arterial, rritja e pulsit, takikardia, si dhe ndjenja e të fikëtit. Por nëse ekspozimi ndaj të nxehtit vazhdon, sjell çrregullime të vetëdijes që variojnë nga konfuzioni deri në humbje të plotë të vetëdijes, konvulsione, rritje e frekuencës kardiake si dhe dëmtime të rënda cerebrale, dekompensim akut kardiak dhe vdekje.

Këto efekte varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu, këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore.

Kush janë më të rrezikuar nga temperaturat e larta?

Të nxehtit prek në mënyrë disproporcionale disa kategori të cenueshme të popullatës, siç janë të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna,individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, tireotoksikoza, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sëmundjet mendore, sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, personat obezë, etj. Po ashtu, përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë, p.sh medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për t’u djersitur, ndërsa betabllokuesit që përdoren për rregullimin e hipertensionit arterial ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

Kategoria më e cenuar nga të nxehtit janë të moshuarit, pasi që me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet më vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.

Dr. Zenuni, cilat janë rreziqet e rrezeve ultravjollcë për fëmijët?

Në mot të nxehtë, foshnjat dhe fëmijët e vegjël rrezikohen nga dehidratimi, djegia nga dielli dhe goditja e nxehtësisë, ku trupi nuk është më në gjendje të ftohet vetë dhe temperatura e trupit bëhet mjaft e lartë. Goditja nga i nxehti mund të jetë e rrezikshme për jetën. Foshnjat dhe fëmijët janë më të ndjeshëm se të rriturit ndaj efekteve të nxehtësisë dhe duhet të monitorohen me kujdes gjatë motit të nxehtë. Fëmijët nuk kanë aq aftësi për t’u djersitur, pra për të shpërndarë nxehtësinë. Ata fillojnë të djersiten vetëm kur trupi i tyre arrin një temperaturë më të lartë. Fëmijët nuk i dinë ose nuk i kuptojnë simptomat e goditjes nga i nxehti dhe vazhdojnë të luajnë deri në rraskapitje. Përdorimi i sasisë së duhur të lëngjeve te fëmijët është me rëndësi jetike pasi që ata kanë mekanizëm të papjekur të etjes, norma relativisht të larta të humbjes së lëngjeve dhe janë fizikisht aktiv.

Prindërit këshillohen të mos lënë në asnjë situatë fëmijën pa mbikëqyrje në automjet, madje edhe nëse i lënë dritaret e hapura.

Për të shmangur dehidratimin dhe efektet e tjera të nxehtësisë, ekspertët kanë këto rekomandime për prindërit:

  • Sigurohuni që ata të pinë ujë sa më shpesh.
  • Sigurohuni që fëmija juaj të luajë plotësisht i hidratuar. Pastaj, gjatë lojës, sigurohuni që fëmija juaj të bëjë pushime të rregullta për të pirë ujë edhe nëse ai nuk është i etur.
  • Kufizojeni kohën e lojës jashtë nga 11:00 deri 18:00.
  • Vishni fëmijët me veshje të lehta me ngjyra të ndritshme, nga fibra natyrale, të cilat "marrin frymë" më mirë sesa fibrat sintetike.

Gjatë stinës së verës a janë më të rrezikuar personat me sëmundje kardiovaskulare dhe si ndikon moti i nxehtë te ta?

Tek personat që kanë probleme me zemër, temperaturat ekstreme mund të sjellin ngarkesë shtesë në zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Djersitja e tepërt në mot të nxehtë rrit humbjen e lëngjeve nga trupi por edhe mineralet e nevojshme nga trupi. Kjo zvogëlon vëllimin e përgjithshëm të gjakut, dhe rrit ngarkesën e punës së zemrës dhe kërkesat për oksigjen, gjendje kjo që mund të çojë në anginë nëse keni sëmundje koronare të zemrës. Humbja e sasive të mëdha të lëngjeve të trupit gjithashtu rrit temperaturën e brendshme të trupit, e cila mund të jetë e rrezikshme për jetën nëse lihet pa u trajtuar.

Në anën tjetër, disa ilaçe të përshkruara për pacientët me sëmundje zemre zvogëlojnë sasinë e lëngjeve në trup, si diuretikët dhe betabllokatorët, ndërkohë që disa ilaçe tjera të zemrës si frenuesit ACE dhe bllokuesit e kanaleve të kalciumit ndryshojnë mënyrën se si trupi reagon ndaj nxehtësisë.

Për fund disa rregulla apo këshilla të zakonshme dhe parandaluese ndaj temperaturave të larta?

Disa këshilla të thjeshta, të zakonshme dhe parandaluese që rekomandohen nga Instituti i Shëndetësisë Publike, të cilat nëse i bëjmë pjesë të rutinës sonë të përditshme gjatë ditëve të nxehta të verës, do të mund të na ndihmojnë për të reduktuar apo ulur efektet negative të temperaturave të larta në shëndet:

1. Evitoni daljet nga shtëpia në pikun e vapës, pra nga 11.00 – 17.00.

2. Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të ndritshme.

3. Mbani në kokë kapelë, apo çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia.

4. Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës. Temperaturat në shtëpi duhen të jenë deri në 25° – 27°C.

5. Freskohuni herë pas here me ujë të freskët duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit në krah, qafë dhe ballë.

6. Pini lëngje ose ujë në sasi të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje.

7. Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë.

8. Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta.

9. Ruajini ushqimet në frigorifer.

10. Shmangni ngrënien e ushqimeve të nxehta apo pikante.

Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

Mbani shtëpinë të freskët

• Mbani të freskët ambientin ku jetoni. Temperatura e ambientit ku jetoni duhet të mbahet në 24°C. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për personat mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

• Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur ulet temperatura e jashtme.

• Mundohuni të ulni temperaturën në shtëpi. Mbyllni grilat dhe dritaret, veçanërisht ato që rrihen nga dielli. Mos mbani llambat ndezur, reduktoni vënien në punë të pajisjeve elektrike të gatimit apo larjes, etj.

• Nëse keni kondicioner, mbyllni dyert dhe dritaret me qëllim ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke zvogëluar kështu konsumin e tepërt të energjisë.

Shmangni të nxehtit

• Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, veçanërisht gjatë natës.

• Në pamundësi për të mbajtur shtëpinë të freskët, kaloni 2-3 orë të ditës në mjedise të freskëta jashtë shtëpisë (p.sh. ambiente publike).

• Shmangni daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës.

• Shmangni aktivitetet fizike me intensitet të lartë nëse mundeni. Nëse duhet të bëni patjetër aktivitet fizik, atëherë shfrytëzoni orët e mëngjesit.

• Qëndroni në hije.

• Mos lini fëmijët apo kafshët në një automjet të parkuar.

• Konsultohuni me mjekun nëse nuk ndiheni mirë apo nëse gjendja juaj nuk përmirësohet.

Mundohuni të mbani trupin të freskët dhe të hidratuar

• Bëni dush me ujë të ftohtë

• Vishni rroba të lirshme, mundësisht me materiale pambuku ose liri. Nëse dilni nga shtëpia mbani kapelë me strehë të gjerë dhe mos harroni syzet e diellit.

• Mundohuni të flini pa jastëk dhe të pambuluar për të mos akumuluar nxehtësi.

• Pini rregullisht lëngje, por shmangni alkoolin, kafet e tepërta dhe sheqerin.

• Konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë. Shmangni ushqimet e pasura me proteina.

Ndihmoni të tjerët

Kontaktoni me familjarët, miqtë dhe fqinjët të cilët jetojnë vetëm, pasi në ditët e nxehta mund të kenë nevojë për asistencë.

• Diskutoni për situatat e të nxehtit ekstrem me familjen. Gjithsecili duhet të dijë se si të zvogëlojë rreziqet shëndetësore në këto situata.

• Të moshuarit dhe të sëmurët të cilët jetojnë vetëm duhet të kontaktohen të paktën një herë në ditë.
• Nëse një person është duke u mjekuar, pyesni mjekun i cili po e trajton nëse mjekimi që po merr ndikon në funksionimin normal të organizmit, e lidhur kjo me vapën; këtu kemi parasysh mekanizmat termorregullatorë dhe balansin e lëngjeve në organizëm.

Nëse ju keni një problem shëndetësor

• Mbani ilaçet në temperaturën nën 25°C ose në frigorifer.

• Kërkoni ndihmë mjekësore nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike apo nëse merrni më shumë se një ilaç.

Nëse ju apo dikush tjetër nuk ndihet mirë

• Kërkoni ndihmë nëse ndiheni i turbulluar apo i këputur, nëse keni dhimbje koke, gjendje ankthi apo etje shumë të madhe dhe të vazhdueshme. Zhvendosuni menjëherë në një mjedis të freskët dhe matni temperaturën e trupit.

• Pini ujë apo lëng frutash për t’u hidratuar.

 Nëse njëri nga pjesëtarët e familjes ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikti, lajmëroni menjëherë mjekun e ambulancës. Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një dhomë më të freskët, vendoseni në pozicion horizontal mbështetur në njërën anë, ngrijani këmbët pak nga pozicioni horizontal, mundohuni ta freskoni duke e lagur me ujë dhe mos i jepni paracetamol./Motilokal.com