Shkencëtarët japin alarmin: Po nxehet Siberia!

Shkencëtarët japin alarmin: Po nxehet Siberia!

Periudha e zgjatur e nxehtë e Siberisë ka vënë në alarm shkencëtarët, që thonë se këto shenja nuk duhen injoruar. Temperaturat në sipërfaqen e saj ishin muajin e kaluar 10 gradë më shumë se mesatarja, dhe kjo e bën majin e sivjetshëm më të nxehtin e regjistruar ndonjëherë në rajonin e ftohtë rus që nga fillimi i regjistrimeve në 1979-tën, sipas hulumtimit nga Shërbimi i Ndryshimit të Klimës së Kopernikut (C3S), një program i lidhur me Komisionin Evropian.

Sipas ekspertit të klimës, Martin Stendel, ky devijim i temperaturës në Siberi do të ndodhte vetëm një herë në 100,000 vjet po të mos ishte për ndryshimet klimatike, thotë CNN. Dhe në Siberi nuk ishte vetëm maji shumë i ngrohtë; dimri dhe pranvera kanë pasur po ashtu temperatura mbi normalen.

Sipas shkencëtares Freja Vamborg, Siberia Perëndimore konsiderohet si një prej rajoneve që dëshmon qartë një trend nxehjeje, ndërsa paralajmërime janë dhënë edhe për Arktikun, i cili po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit për shkak të efektit serë.

Por në Siberi, nuk ishte vetëm maji që ishte më i ngrohtë se zakonisht – rajoni përjetoi periudha të temperaturave më të larta se mesatarja e ajrit sipërfaqësor gjatë gjithë dimrit dhe pranverës, me temperatura të ngrohta veçanërisht nga janari.

Siberia ka tendencë të shohë ndryshime të mëdha të temperaturave nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, dhe ka pasur muaj në vitet e kaluara kur anomalitë e temperaturave ishin më të mëdha se sa rajoni ka përjetuar në gjashtë muajt e fundit, tha C3S.

Sipas Shërbimit të Klimës Kopernikus është e pazakontë të shohësh temperatura më të ngrohta se mesatarja për aq muaj me radhë.

Shkencëtarët thonë se rajoni i Arktikut po ngroh, mesatarisht, dy herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit si pasojë e ngrohjes globale.

Ndryshe, Rusia regjistroi dimrin e saj më të nxehtë në historinë 140-vjeçare të vëzhgimeve meteorologjike, njoftoi në fillim të këtij viti Qendra Hidrometeorologjike e drejtuar nga shteti./Motilokal.com