Kali i qyqes viziton sofrën e Kurveleshit - stacionin e dytë me ushqim plotësues

Kali i qyqes viziton sofrën e Kurveleshit - stacionin e dytë me ushqim plotësues

Kali i qyqes, një shpend madhështor dhe shumë i rrallë, është fotografuar në Nivicë të Kurveleshit.

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, (PPNEA) në faqen e saj ka njoftuar se kontrolli i parë i kamerave kurth në stacionin e dytë me ushqim plotësues, solli lajme pozitive lidhur me rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri.

“Prej fotografive dëshmuam vizitat e përsëritura të një individi të kalit të qyqes, çfarë tregon se stacioni e ka justifikuar funksionin e tij, furnizimin me ushqim të sigurt për këtë lloj të rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje. Kurthet e helmatisura janë një problem serioz të cilat ndodhin shpesh në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke u shndërruar në një prej kërcënimeve kryesore ndaj kalit të qyqes, popullata e të cilit është ulur në 45 çifte përgjatë të gjithë Ballkanit”, thuhet në njoftim.

PPNEA, prej disa vitesh, ka ndërmarrë masa konkrete në ruajtjen dhe rimëkëmbjen e popullatës së kalit të qyqes, duke përfshirë ndërtimin e dy stacioneve me ushqim plotësues në jug të Shqipërisë, izolimin e shtyllave elektrike për mbrojtjen nga elektroshoku, formalizimin e rrjetit “Shpëtimtarët e Kalit të Qyqes”, etj.

PPNEA falënderon bashkinë Tepelenë, Projektin “Nivica”, Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gjirokastër dhe rrjetin “Shpëtimtarët e kalit të qyqes”, të cilët e përkrahën nismën e ndërtimit të një stacioni ushqimor, duke ndihmuar edhe në ngritjen dhe mirëmbajtjen e tij. Dy stacionet me ushqim plotësues u ndërtuan me mbështjetjen e CEPF dhe mirëmbahen nga projekti “Egyptian Vulture New Life”./Motilokal.com