Shkëlqimi dhe rënia e imazhit të Shqipërisë së gjelbër

Shkëlqimi dhe rënia e imazhit të Shqipërisë së gjelbër

Nga Mirjan Topi

Vetëm fare pak ditë pas publikimit të prestigjiozes angleze “The Independent”, një tjetër media e huaj, ndër më të më të njohurat e botës francofone “La Liberation” publikon një lajm akoma më rrëqethës për paligjësinë kundër jetës së egër në Shqipëri.

Bëhet fjalë mbase për lajmin më të zymtë me subjekt krimin kundër jetës së egër që ka parë historia e këtij vendi së paku gjatë 30 viteve të fundit: atë të vrasjes së 30% të popullatës kombëtare apo rreth 7 % të popullatës botërore të rrëqebullit të Ballkanit (lloj i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje në nivel global) me qëllim dekori për një restorant të vetëm në Shqipëri.

Vrasja me motiv balsamimin është përgjegjëse gjithashtu për shfarosjen e rreth 70% të popullatës kombëtare të shqiponjës së malit dhe shumë llojeve të tjera të shpendëve grabitqarë në një periudhë fare të shkurtër.

Është jashtë çdo logjike ligjore, civile dhe njerëzore që ky krim i kryer haptazi para syve të gjithë shqiptarëve dhe mbarë opinionit botëror vazhdon të mbetet pothuajse krejtëisht i pandëshkuar në Shqipëri.

Kafshët të vrara dhe të balsamosura gjenden sot e kësaj dite të ekspozuara në zemër të parqeve kombëtare dhe asnjë prej institucioneve nuk reagon!

Si mundet vallë, që krimi të sfidojë kaq hapur ligjin? Pse qenka kaq e vështirë që kafshët e balsamosura të sekuestrohen dhe kundravajtësit të procedohen në bazë të ligjit?

Vrasja e kafshëve të egra për qëllime dekori është ndër krimet më brutale kundër jetës së egër, që po shemb si tërmet imazhin e Shqipërisë së gjelbër (të përcjellë nga ligjet e rralla dhe të rrepta të moratoriumit të gjuetisë dhe pyjeve) që filloi të jepte fryte nëpërmjet dyndjes së turistëve të natyrës./Motilokal.com