Të moshuarit dhe goditjet e të nxehtit – Këshilla për të shmangur ato

Të moshuarit dhe goditjet e të nxehtit – Këshilla për të shmangur ato

Së bashku me verën vjen edhe rreziku i goditjes nga të nxehtit. Për të përgatitur popullatën për këtë gjë, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare për Promocionin dhe Edukimin Shëndetësor, kanë përgatitur disa këshilla se si të mbrohemi nga i nxehti i verës.

Në këtë kuadër, për të moshuarit këshillohet që:

Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C.

Të moshuarit të mos dalin nga ora 11 – 18 nga shtëpia.

Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta.

Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku.

Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike në mjedise të jashtme.

Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që:

Personi të vendoset në një vend të freskët.

T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë.

T’i jepet të pijë lëngje dhe të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës.

 Rregulla të arta për të nxehtin:

Mos dilni në orët e nxehta.

Vishni rroba të lehta.

Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.

Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficenca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit.

Rekomandime për punonjësit e strukturave që kanë të shtruar të moshuar që kanë nevojë për ndihmë

Shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh janë:

Zbehja

Marramendja

Të vjellët

Pulsi i dobët

Temperatura e ngritur

Si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të shtruarve të moshuar./Motilokal.com