IKSHPK: 114 raste të reja me COVID-19 dhe 117 të shëruar në Kosovë

IKSHPK: 114 raste të reja me COVID-19 dhe 117 të shëruar në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se janë testuar gjithsej 304 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat janë konfirmuar 114 raste me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së numri total i rasteve pozitive 3.178 raste nga 24.575 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 58 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese

Lajmi i mirë është se sot më 03 korrik 2020, janë shëruar 117 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.824 raste, kurse raste aktive 1.296.

“Rastet pozitive janë nga: komuna e Ferizajt 35 raste, komuna e Prishtinës 17 raste, komuna e Mitrovicës 9 raste, komuna e Pejës 9 raste, komuna e Vushtrrisë 9 raste, komuna e Prizrenit 8 raste, komuna e Gjakovës 7 raste, komuna e Rahovecit 5 raste, komuna e Gjilanit 4 raste, komuna e Vitisë 3 raste, komuna e Suharekës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Hani i Elezit, Kaçanik, Kamenicë, Mamushë, Obiliq dhe Skenderaj”, thuhet në njoftim.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!

Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!

Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!/Motilokal.com