Kepi i Rodonit, mrekullia e bregdetit Adriatik [Foto]

Kepi i Rodonit, mrekullia e bregdetit Adriatik [Foto]

Plazhi i ngjyrave dhe i dritës ose Kepi i Rodonit. Ky rrip toke e ka merituar këtë cilësim.

Kepi i Rodonit është në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik dhe shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.

Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.

Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Redoni sipas mitologjisë ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit.

Ai ka qene i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.

Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejtë që kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redonin. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit Ilir të deteve.

Atje ka një kala e cila  u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452 Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtër raguzianë të ndërtimit.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant, mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Të gjithë turistët e huaj që e vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm shprehen se “Kepi dhe plazhi i Rodonit janë një mrekulli e natyrës shqiptare”.

Deti është i pasur me florë e faunë nënujore të hatashme për të gjithë zhytësit.

Ata që e kanë provuar këtë plazh dhe kanë parë bukuritë e Kepit të Rodonit, janë të paktë dhe të rrallë, por ngritja e një infrastrukture bashkëkohore do të krijojë shfrytëzimin masiv të këtij bregdeti.

Kepi i Rodonit është futur në guidat turistike të Shqipërisë dhe agjendat e turistëve të huaj nga shumë vende të botës,janë të përhershme dhe shtohen nga viti në vit.

Kepi i Rodoni është padyshim oazë i qetësisë dhe bukurisë natyrore./Motilokal.com