Eksplorimi në planetin Mars

Eksplorimi në planetin Mars

Marsi, planeti i katërt në sistemin tonë diellor është rreth gjysma e madhësisë së Tokës - rreth 4,220 milje në diametër - dhe ka dy hënë, të quajtur "Phobos" dhe "Deimos".

Temperaturat shkojnë nga minus 140 gradë celsius në 30 gradë celsius. Graviteti është 62,5 për qind më i vogël se sa në Tokë. Atmosfera e atij planeti përbëhet pothuajse tërësisht nga dioksidi i karbobit, rreth 96 për qind, transmeton Associated Press.

Profesori i astrofizikës Chris Lintott me Universitetin e Oksfordit, e përshkruan planetin si një vend të tmerrshëm: “Është më i thatë se shkretëtira më e thatë në Tokë dhe pothuajse nuk ka fare atmosferë dhe në atë pak që është, nuk mund të marrësh frymë. Planeti përbëhet nga një lloj rëre e kuqe. Erërat në atë atmosferë të hollë shkaktojnë shtëllunga pluhuri që përhapet kudo.”

Viteve të fundit, shkencëtarë nga NASA dhe Evropa kanë studiuar zonat e largëta të Australisë, strehë e disa prej formave më të vjetra të jetës tashmë të fosilizuara.

Shkencëtarja Susanne Schwenzer, e cila ka punuar me NASA-n, e krahason planetin Mars me shkretëtirën Atacama të Kilit:

“Planeti Mars është një vend shumë i thatë si rezultat i atmosferës së hollë. Në bazë të sezoneve, temperaturat bien deri minus 50 gradë.”

Planeti i kuq është objektiv i njohur për eksplorime. Mjetet e automatizuara robotike të quajtura rover, mbledhin kampione në sipërfaqen e planetit ndërsa sondat ekzaminojnë nga orbita. Fotografitë e para nga planeti u morën në vitin 1964 nga anija hapësinore Mariner 4 e NASA-s.

Kuptimi i njerëzimit për planetin e kuq ka evoluar shumë që nga koha kur anija kozmike Mariner 4 e NASA-s së pari bëri fotografi të Marsit në vitin 1964.

Studiuesit në atë kohë nuk panë asgjë tjetër përveç një planeti “të ftohtë, shterpe”.

Shkencëtarët kanë kërkuar molekula organike në Mars qysh në 1976. Pas 15 vitesh kërkimesh gjeologjike, roveri “Opportunity” i NASA-s i pajisur me kamera dhe instrumente për analizimin e shkëmbinjve dhe dheut, vitin e kaluar o njoftua se kishte pushuar së funksionuari.

Arritja më e madhe ishte zbulimi i provave se Marsi në lashtësi kishte patur ujë që rridhte në sipërfaqen e tij dhe mund të ketë qenë i aftë për të mbajtur jetën e mikrobeve.

“Fluturimi i parë mbi Mars në vitin 1964 tregoi disa kratere dhe shterpësi. Kamerat atëherë nuk kishin qartësinë e duhur për të parë detaje. Më vonë kur dërguam dy automjetet robotike në sipërfaqen e planetit e kuptuam më mirë përbërjen gjeologjike. E dimë që shkëmbinjtë kanë përbërje elementësh si hekuri, kalciumi, magnezi, që janë shumë të rëndësishme për të krijuar një mjedis”, thotë shkencëtarja Susanne Schwenzer.

Shkencëtarët tani besojnë se Marsi dikur ishte shumë i ndryshëm nga mënyra sesi e shohim sot, mbase edhe e ngjashme me Tokën.

Copra akulli të vëna re më parë në Mars lënë të kuptohet për të një kaluar me ujë në atë planet.

"Mund të supozojmë se Marsi dikur kishte një atmosferë më të trashë, ne mund të shohim prova, padyshim prova gjeologjike në sipërfaqen e Marsit, se kishte ujë të rrjedhshëm", thotë Lucinda Offer.

"Kështu, ne mund të imagjinojmë të paktën që Marsi dikur kishte ujë mbi të."

Vitet e fundit, zbulimet e reja të Marsit kanë përparuar për jetën e mundshme në planetin e kuq, të kaluarën apo edhe të tashmen.

Shkencëtarët e NASA-s raportuan se roveri i tyre Curiosity kishte gjetur blloqe ndërtimi të mundshëm të jetës në një liqen antik.

Molekulat organike të ruajtura në shtratin tre miliardë vjeçar sugjerojnë se kushtet në Mars mund të kenë qenë dikur të favorshme për jetën.

Shkencëtarët po ashtu konfirmuan rritjen e gazit të metanit në atmosferën marsiane. Hulumtuesit thonë se nuk mund të përjashtojnë mundësinë e një burimi biologjik.

"Pyetja është, duke pasur parasysh që të gjithë përbërësit ekzistojnë, a filloi jeta?" pyet Lintott.

“Ne e dimë që ajo ndodhi në Tokë. Të zbulosh nëse ka në Mars është pyetja tjetër e madhe. "

Shkencëtarët pajtohen mbi nevojën e anijeve më të fuqishme hapësinore dhe sjelljen e kampioneve në Tokë, për studime që të provohet nëse organizma të vegjël si bakteria kanë ekzistuar ndonjëherë në planetin e kuq.

Por çfarë mund të thotë prania e jetës në Mars për misionet e mundshme në planetin e kuq?

“Nëse zbulohet se ka jetë në Mars, cili është vendimi që do të marrim? A shkojmë atje sepse duam ta mbrojmë?" pyet Offer.

“Kina, India, NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës po kërkojnë të zbulojë nëse ka jetë në Mars. Janë të gjitha këto vende që po bëjnë kërkime. Dhe nëse gjejmë jetë atje atëherë lind pyetja se çfarë do të bëjmë atje”, thotë Offer.

Shkencëtarët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe SHBA shpresojnë që të marrin më shumë të dhëna ndërsa misionet e tyre nisen drejt planetit të kuq nga fundi i këtij muaji./Motilokal.com