Shpyllëzimi në Evropë rritet për 50 për qind

Shpyllëzimi në Evropë rritet për 50 për qind

Rritja e shpyllëzimit në Evropë është një dukur që vazhdon të rritet nga viti në vit. Sipas disa imazheve satelitore, rezulton se nga viti 2016 deri në 2018 ka patur një rritje të shpyllëzimit me 50% të prerjes së tyre në kontinentin evropian për qëllime tregtare.

Siç bën të ditur Global Forest Change, gjysma e prerjeve masive ka ndodhur në Suedi dhe Finlandë, ku mendohet se arsyeja qëndron si në prodhimin e karburantit, po ashtu edhe në kërkesën më të lartë për prodhime druri.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore ndërkombëtare Nature, tregohet se nga viti 1990-2015, sipërfaqja totale pyjore në Evropë është rritur me 90 mijë km2, duke u bazuar të paktën në shifrat që çdo shtet bën zyrtare.

Nga njëra anë Evropa numëron më shumë sipërfaqe të gjelbra, por nga ana tjetër pemët priten gjithnjë e më shumë dhe sipas kërkuesve, nuk është e qartë nëse bilanci për natyrën është pozitiv apo negativ.

Po ashtu në studim specifikohet se nëse vijohet me të njëjtat ritme të shpyllëzimit, atëherë do të jetë e pamundur që arrihet neutraliteti klimatik në vitin 2050.

E si duket kjo gjë do të sjellë lindjen e nevojës për hartimin e politikave të tjera mjedisore, që duhet të jenë më të ashpra, për të mbrojtur mjedisin në kontinentin e vjetër./Motilokal.com