Ja pse Ksamili konsiderohet si perla e jugut [Foto]

Ja pse Ksamili konsiderohet si perla e jugut [Foto]

Ksamil, i njohur edhe si Skambil nga shqiptarë vendas, është fshat i vogël bregdetar në jug të Shqipërisë.

Ndodhet në jug të qytetit të Sarandës, në dalje të rrugës për në Butrint dhe është pjesë e Rrethit të Sarandës.

Është një nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj. Plazhi është i vogël, me ujë të pastër dhe me ishuj të vegjël ku janë vendosur kafetë dhe pranë tyre mjediseve të pastra.

Ka një numër hotelesh të vogla dhe shtëpive për mysafir, disa janë të hapura gjatë gjithë vitit, por disa hapen gjatë verës.

Ksamili është njëri nga bukuritë më të mëdha të Shqipërisë, madje përshkruhet si një vend që ngjan me parajsën, edhe pse turistët evropianë nuk kanë shumë njohuri.

Në Ksamil gjithashtu janë disa plazhe shumë të bukura si Bora Bora, Tre Ishujt, por ka edhe vende tjera shumë të bukura si Syri i Kaltër, apo edhe Parku i Butrintit, që është pronë e mbrojtur nga UNESCO.

Bota nënujore e Ksamilit, është një tjetër mrekulli që nuk e gjen gjetkë. Koralet shumëngjyrëshe, peshqit dhe gjallesat e larmishme, anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta janë një rast i papërsëritshëm për ju.

Vija bregdetare e Ksamilit ka dhe një të veçantë tjetër, që nuk është e mbushur me ndërtime apo lokale si plazhet e tjerë në Shqipëri. Dhe kjo është një garanci për një det të pastër.  Pjesë e kësaj panoramë që nuk e has në asnjë plazh tjetër në vijën bregdetare të Shqipërisë, është dhe ishulli i Korfuzit përballë.

Në Ksamil kohën e lirë veç plazhit, mund ta kalosh duke ecur përgjatë një shëtitoreje pedonale shumë karakteristike të ndërtuar vitet e fundit, që gjarpëron paralel me bregdetin, në anën perëndimore të qytezës. Ndërkohë që për argëtimin e fëmijëve, ka kënd lojërash.

Veç shqiptarëve nga të gjithë trojet, Ksamili çdo vit e më tepër po konsiderohet një zbulim për shumë të huaj. Autobusë me turistë atyre anëve më së shumti i përkasin Butrintit si destinacion, por ato po parkojnë së fundi dhe në plazhet e Ksamilit.

Çekë, rusë, gjermanë e polakë, po bëhen vizitorë të zakonshëm në Ksamil. Sidomos polakë. Ata vijnë me autobusë, por dhe më automjete private. Familjarisht ose në shoqëri apo çift. Por Ksamili është një zbulim dhe për maqedonasit, veçanërisht ato me etni maqedonase. Dyndja e pushuesve nga Maqedonia dallohet qartë nga dominimi i targave të automjeteve. Edhe kosovarët nuk bëjnë përjashtim. Shumë prej tyre thonë se nuk e ndërrojnë Ksamilin me asnjë plazh tjetër.

Shkurt, për ata që dëshirojnë të bëjnë pushimet e tyre në Shqipëri, nuk mund të mos vizitoni këtë perlë të vogël të rivierës shqiptare./Motilokal.com