
Mungesa e reshjeve të shiut dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin, ka bërë që Liqeni i Fierzës të thahet, duke pakësuar ndjeshëm prurjet e lumenjve që furnizojnë ujëmbledhësin më të madh në vend.
Të dy lumenjtë e mëdhenj që furnizojnë liqenin, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 50 metër kub ujë në sekondë. Niveli i ujit po zbret çdo ditë kurse kuota ka zbritur në 287.88 metra mbi nivelin e detit nga 296.5 e kuotës maksimale.
Sipas këtyre të dhënave situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është edhe aq pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë nga 250 deri në 300 metra kub ujë për sekondë ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston, për shkak të parashikimeve për motin e nxehtë dhe temperaturat e larta që do të shoqërojnë javën e fundit të korrikut dhe muajin gusht.
Po ashtu thatësira dhe rritja e temperaturave ka ndikuar edhe në shtimin e rasteve të zjarreve masive pyjore dhe pakësimin e furnizimit të banorëve me ujët të pijshëm./Motilokal.com