Kina nis misionin e parë në Mars

Kina nis misionin e parë në Mars

Kina sot lansoi misionin e saj të parë pa pilot në planetin Mars. Misioni i quajtur Tianwen-1 u lansua mbi raketën bartëse Long March-5 Y4 nga Qendra e Lansimit Hapësinor Wenchang në provincën Hainan në jug të Kinës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës bëri të ditur se pas fluturimit për afro 2.000 sekonda, anija kozmike hyri në orbitën e planifikuar të transferimit Tokë-Mars, duke filluar zyrtarisht udhëtimin e saj drejt Planetit të Kuq, i cili vlerësohet të zgjasë afërsisht 7 muaj.

Pamjet televizive treguan një ngritje të suksesshme, e cila u ndoq nga qindra njerëz.

Pajisja e Kinës do të marrë shtatë muaj kohë për të arritur në Mars.

Ky është fluturimi i dytë për në Mars këtë javë, pas anijes kozmike të Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila u nis nga Japonia, më 20 korrik.

Shtetet e Bashkuara pritet të nisin anijen e tyre në Mars javën e ardhshme. Kjo është përpjekja e dytë e Kinës për në Mars.

Raketa transportuese Long March-5 është mjeti më i madh i lansimit të Kinës dhe është hera e parë që raketa do të vihet në "përdorim praktik" dhe e cila u transportua në mënyrë vertikale në Qendrën e Lansimit Hapësinor Wenchang të premten. Raketa më parë ishte testuar tri herë.

Aterimi në Mars thuhet se është i vështirë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë ulur me sukses anije hapësinore në tokën e Marsit dhe këtë e kanë bërë tetë herë që nga viti 1976./Motilokal.com