I nxehti përvëlon Lindjen e Mesme, temperatura deri në 53 °C

I nxehti përvëlon Lindjen e Mesme, temperatura deri në 53 °C

Lindja e Mesme është duke u përballur me një valë të nxehti prej disa ditësh. Në disa vende temperaturat kanë arritur në rekord prej 50 °C.

Më i prekuri nga vala e të nxehtit është kryeqyteti i Irakut, Bagdadi, i cili regjistroi temperaturat më të larta në rajon këtë javë, ku termometri shënoi 51.7 °C. Ndërsa në qytetet jugore të vendit temperatura nuk shkoi nën 50 °C.

Sipas stacionit të monitorimit në Houch al-Oumara, në luginën Bekaa të Libanit termometri regjistroi temperatura mbi 45 °C të martën, që konsiderohen rekord për vendin.

Arabia Saudite dhe Siria gjithashtu kanë vendosur tashmë temperatura rekord. Në Damask të Sirisë termometri arriti në nivelin e 46 °C.

Temperatura më e lartë për këtë javë u regjistrua një ditë më parë në Amarah të Irakut me 53 °C, shumë pranë rekordit kombëtar prej 53.9 °C.

Shumica e banorëve përpiqen të qëndrojnë brenda ose nën hije apo edhe të freskohen me ujë.

Për krahasim, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Tokë është 56,7 °C, sipas shifrave zyrtare të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM)./Motilokal.com