Shqipëria në flakë nga zjarret

Shqipëria në flakë nga zjarret

Prej pesë ditësh zjarret kane shkrumbuar dhjetëra hektarë pyje në Qarkun e Lezhës. Shtabi Emergjencave Civile në Prefekturën Lezhë, bëri me dije se janë aktive tre vatra që vijojnë prej ditësh. Në malin e Shëngjinit, Torovicës, Kakarriqit dhe në Katundin e vjetër në Mirditë.

Shefi i Shtabit Ndrekë Mhillaj tha se në Mirditë janë rreth 15 punonjës të bashkisë që po punojnë për të parandaluar zjarrin, ndërsa dhjetëra hektarë vijojnë të digjen.

Mungesën e ndërhyrjes nga ajri, Mhillaj e justifikon si rrezik me potencial. Siç tha ai, hedhja e ujit me helikopter çliron më shumë oksigjen dhe rrit intensitetin e zjarrit.

Zjarre

Situatë alarmante paraqitet në Seman të Fierit, pasi janë aktivizuar disa vatra zjarri.

Në vendngjarje kanë dalë edhe zjarrfikësit e Fierit për të shuar flakët, por terreni i vështirë nuk po i favorizon punën. Zjarri ra të dielën pasdite i riaktivizua më fuqishëm këtë të hënë.


Sipërfaqja nën flakë është e konsiderueshme. Vendi ku ka rënë zjarri është një pyll i dendur me pisha, në zonën e Semanit, në vendin e quajtur Godull.

Terreni është i vështirë për shkak se aty ndodhen shkurre dhe ferra të mëdha që rrezikojnë përfshirjen nga zjarri të Kurorës së Pishave në Seman.

zjarr Gjirokaster

Edhe në zonën malore të fshatit Zhulat të Gjirokastrës janë katër vatra aktive zjarri. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, për shkak të terrenit të vështirë, është bërë e vështirë shuarja e flakëve. Mësohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme e për pasojë policia ka shoqëruar 4 persona.


Për zjarret që kanë përfshirë vendin ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka thënë se është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrave të zjarreve në disa qarqe të vendit.


Presidenti Meta nxit autoritetet qendrore dhe vendore për koordinimin në kohë dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, Presidenti Meta tërheq veçanërisht vëmendjen për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve“, thuhet në njoftimin e Presidencës./Motilokal.com