Franca po përjeton korrikun më të thatë në më shumë se 60 vjet

Franca po përjeton korrikun më të thatë në më shumë se 60 vjet

Franca po përjeton korrikun më të thatë në më shumë se 60 vjet, duke bërë që autoritetet të kufizojnë përdorimin e ujit në më shumë se dy të tretat e territorit.

Sipas Météo France, nga 1 korriku deri më 28 korrik, reshjet mesatare kanë rënë vetëm në 28 për qind të vlerave normale në të gjithë vendin, duke e bërë muajin e kaluar korrikun më të thatë që nga viti 1959.

Jugperëndimi, Lugina e Loire dhe verilindja u prekën veçanërisht nga ky deficit i ndjeshëm i shirave, i njohur si thatësirë meteorologjike.

Si pasojë e mungesës së shiut, toka e vendit është më e thatë se zakonisht, gjë që po dëmton zhvillimin e duhur të bimësisë.

Thatësira bujqësore kanë ndikuar në rajonin verilindor Grand Est, si dhe në Auvergne-Rhône-Alpes, në Hauts-de-France dhe Normandinë e Poshtme, shkruan agjencia meteorologjike e vendit.

Kjo situatë (thatësirë, temperaturë e lartë) favorizon gjithashtu zhvillimin e zjarreve.

Shtratet e thata të lumenjve

Lumi më i madh në  Francë, Loire, aktualisht po përjeton një rënie të mprehtë të rrjedhës së saj. Për shembull, prefektura e departamentit të Maine-et-Loire, ka vendosur kufizime të përdorimit të ujit për shkak të situatës.

Ky fenomen tashmë ishte vërejtur dy vjet më parë kur ky lum ishte tharë plotësisht për më shumë se gjashtë muaj.

SEBASTIEN BOZON / AFP

Situata mund të përkeqësohet

Franca pritet të përballet me një valë të re të nxehtësisë në fund të javës. Météo France njoftoi se në vend priten temperatura prej 38 °C deri në 40 °C.

Për fermerët, këto valë të përsëritura të nxehtit po bëhen gjithnjë e më problematike./Motilokal.com