Vaksina e Novavax prodhon dy herë më shumë antitrupa se sa kanë personat e shëruar nga COVID-19

Vaksina e Novavax prodhon dy herë më shumë antitrupa se sa kanë personat e shëruar nga COVID-19

Kompania amerikane, Novavax, njoftoi se vaksina e saj eksperimentale kundër COVID-19, ka nxitur një përgjigje të fortë të imunitetit, duke prodhuar më shumë antitrupa, sesa janë të pranishëm në pacientët e shëruar.

Antitrupat janë proteina të sistemit imunitar në trupin e njeriut që luftojnë infeksionet.

Pas dozës së parë, të gjithë subjektet që morën vaksinën zhvilluan, antitrupa që bllokojnë virusin SARS-CoV-2, për t'u lidhur në qelizat njerëzore.

Shumica e personave gjithashtu zhvilluan “antitrupa neutralizues” të cilët janë më të fuqishëm dhe parandalojnë viruset të infektojnë qelizat.

Pas një doze të dytë, të dhënë 28 ditë më vonë, të gjithë pjesëmarrësit kishin antitrupa neutralizues më të fuqishëm.

Drejtori i Kërkimeve Gregory Glenn i tha Reuters se kompania së shpejti do të fillojë studime klinike shumë më të mëdha në një fazë të vonë dhe potencialisht mund të mbledhë të dhëna të mjaftueshme për të marrë miratime rregullatore qysh në dhjetor.

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci tha në fund të korrikut se amerikanët duhet, brenda një kohe të arsyeshme, të kenë qasje të gjerë në vaksinën e koronavirusit, pasi të përcaktohet se është e sigurt dhe efektive.

Gjatë dëshmisë së tij para komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton përgjigjen federale ndaj pandemisë, Fauci shprehu optimizëm të kujdesshëm se vaksina do të jetë gati deri në fund të këtij viti, dhe në dispozicion vitin e ardhshëm.

“Unë besoj se, në fund të fundit, gjatë një periudhe kohe të caktuar në vitin 2021, amerikanët do të jenë në gjendje ta marrin atë”, tha Fauci, duke shtuar se do të ketë një listë të atyre që janë përparësi për vaksinimin e hershëm.

Ai supozon që jo të gjithë do ta marrin vaksinën menjëherë, por gjithashtu thekson se “brenda një kohe të arsyeshme, është planifikuar që të gjithë amerikanët që kanë nevojë për vaksinën ta marrin atë”./Motilokal.com