
Një nga sekretet më mbresëlënëse që Shqipëria ende rezervon për turistët vendas dhe të huaj është Kanioni i Holtës. Të paktë janë ata që e kanë dëgjuar, e akoma më të paktë ata që e kanë parë nga afër këtë mrekulli.
Shumë pranë Gramshit, një nga perlat e natyrës shqiptare ka qenë e mbuluar për vite me radhë nga harresa për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe ka publikuar një sërë fotosh me pamje të mrekullueshme nga kanionet e Holtës, si një nga destinacionet turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.
Lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 kilometra, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 metra dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 metra.
Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.
Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.
Një nga karakteristikat e kanionit është ngushtica e herëpashershme mes shpateve, që të krijojnë një ndjesi izolimi total nga pjesa tjetër e rruzullit. Nëse gabimisht lëshon ndonjë pasthirrmë, ekoja e zërit përcillet disa herë nga shpatet që duket sikur e shijojnë pamasë të vetmen lojë fëmijërore që mund të bëjnë përmes trupave të tyre gjigant.
Qetësi dhe eko, bimësi që kacavirren shpateve dhe ujë që rrjedh si në këmbët e tua, ashtu dhe nga shkëmbinjtë duke krijuar disa ujëvara të mrekullueshme në miniaturë. Pak më tutje dhe gropa me ujëra termal. Fundi i kanionit kulmon me një gur të stërmadh që ngjan i vendosur enkas aty përpara shumë kohësh nga ndonjë krijesë mitologjike e një kohe tjetër, që ju bën me dije se për të dalë do ju duhet të ktheheni sërish andej nga erdhët. Ndoshta është koha për pak pushim.
Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj./Motilokal.com