Mot i ligë në fundjavë, Mbrojtja Civile shkresë prefekturave: Merrni masa, vini strukturat në gatishmëri

Mot i ligë në fundjavë, Mbrojtja Civile shkresë prefekturave: Merrni masa, vini strukturat në gatishmëri

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) u ka dërguar sot një shkresë zyrtare 5 prefekturave në vend, duke i paralajmëruar se vendi do të ketë mundësi të përfshihet nga moti  ligë.

Sipas njoftimit të AKMC-së shkresa u është dërguar prefekturave Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

“Pas informacioneve të dhëna nga IGJEUM dhe nga qendrat sinoptike homologe të vendeve fqinje se në fundjavë në veri - perëndim dhe në jug të vendit do të ketë stuhi dhe reshje të mëdha shiu, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen Civile” dhe Planit Kombëtar të Emergjencave Civile u është drejtuar me një shkresë zyrtare pesë prefekturave në vend, atyre të Shkodrës, Lezhës, Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Mbrojtjes Civile njofton se reshjet e shiut dhe stuhitë mund të bëhen shkak për përmbytje. Ndaj, u bëhet thirrje prefekturave të marrin masa të menjëhershme parandaluese dhe të vënë në gatishmëri strukturat operacionale.

Më tej Agjencia e Mbrojtjes Civile kërkon nga zyrtarët vendorë të vlerësojnë zonat më të rrezikuara nga përmbytja dhe të marrin masa për popullsinë, duke e njoftuar atë për rrezikun dhe planifikimin e masave reaguese në rast përmbytje.

“Po ashtu pushteti vendor duhet të përcaktojë vendet e pa rrezikuara për zhvendosjen e popullsisë në rast rreziku. Në shkresën drejtuar prefekturave, Agjencia e Mbrojtjes Civile thekson se Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit do të jenë në gatishmëri me kapacitetet e deklaruara për rastet e emergjencave’, thekson AKMC./Motilokal.com