Moti i ligë/ Policia shton prezencën në akset rrugore: Apelon shoferët për kujdes të shtuar

Moti i ligë/ Policia shton prezencën në akset rrugore: Apelon shoferët për kujdes të shtuar

Nisur nga moti i ligë me reshje të dendura shiu në shumë zona të vendit, Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve në të gjitha akset rrugore dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.

Policia Rrugore ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë manovra apo parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Po ashtu në njoftim u kërkohet edhe drejtuesve të motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse, ata të biçikletave të ndriçojnë biçikletën gjatë udhëtimit dhe në rast reshjesh të dendura të ndërpresin lëvizjen deri në qetësimin e motit, që të mos rrezikojnë jetën e tyre.

Më tej në njoftim thuhet se vëmendje të veçantë duhet të tregojnë edhe këmbësorët që tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi për shkak të shiut dhe të errësirës, rreziku është i madh për t’u përfshirë në aksident rrugor.

“Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që për çdo emergjencë që mund të kenë gjatë udhëtimit të telefonojnë menjëherë në numrin 112 ose të dërgojnë imazhe në Komisariatin Digjital dhe shërbimi i Policisë do jetë në kohë reale në ndihmë të tyre”, thuhet në apelin e Policisë Rrugore./Motilokal.com