Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë kërkon masa për mbrojtjen e mjedisit nga automjetet e vjetra

Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë kërkon masa për mbrojtjen e mjedisit nga automjetet e vjetra

Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë (BCCK) përmes një komunikate për media ka kërkuar masa për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik duke promovuar ekonominë e gjelbër.

Propozimi për ndryshim dhe plotësim të ligjit 05/L-132 për automjete e cila parasheh lehtësira shtesë në import të automobilave të përdorur ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucionet dhe shoqëria civile në Kosovë.

BCCK megjithatë thekson se është e nevojshme t’i tërhiqet vëmendja qeverisë pasi përpiqet të akomodojë thirrjet e vendeve të tjera për të hapur tregun tonë ndaj produkteve të tyre të padëshiruara dhe potencialisht të dëmshme për shitje qytetarëve tanë.

“Ligjet duhet të hartohen për të siguruar që qytetarët janë të mbrojtur nga produktet potencialisht të rrezikshme, por këtu në Kosovë ne shohim politikëbërje shkurtëpamëse, të ilustruar me vendimin e fundit të Ligjbërësve të Kosovës për të ndryshuar ligjet që synojnë të sigurojnë që automjetet motorike që importohen në Kosovë janë të përshtatshme për tregun e Kosovës. Këto ligje mbrojnë qytetarët tanë”, thuhet në komunikatë.

BCCK thotë se ligjbërësit po konsiderojnë që të lejojnë që automjetet motorike të përdorura të importohen në Kosovë me jo më shumë se një certifikatë nga vendi i eksportit pa ndonjë kontroll në Kosovë për të siguruar që automjetet janë të përshtatshme për tregun tonë”.

“Ka vende në Evropë në të cilat pronarët e makinave inkurajohen të shesin automjetet e tyre me motorë të vjetër – të cilat gjenerojnë nivele të papranueshme të ndotësve – për dyfishin e vlerës së tyre për të rritur shitjet e automjeteve elektrike dhe hibride. Ka prova që këto automjete po eksportohen në tregje si Kosova edhe pse janë refuzuar nga pronarët dhe autoritetet në vendet eksportuese ngase janë një shkak i përgjithshëm i ndotjes së ajrit dhe i dëmshëm për shëndet të votuesve të tyre dhe fëmijëve të tyre”, shprehet BCCK në njoftim.

“Ligjbërësit në Kosovë përdorin arsyetimin e “liberalizimit të tregut” për të lejuar që produktet e refuzuara në Evropë të qarkullojnë në Kosovë. Një çështje vlen të theksohet e që është propozim për ndryshim të këtij ligji nuk ka ardhur me ndonjë vlerësim financiar të kostos për Kosovën në vitet e ardhshme të trajtimit të qytetarëve të saj për sëmundjet e shkaktuara nga ndotja. Kjo ndikon që të rinj të largohen nga shteti pasi që nuk mund të përballen me jetesën e familjes në një mjedis aq të ndotur”.

BCCK thekson në një komunikatë për media se ka për mision të inkurajoj ndërmarrjet dhe tregun e lirë në Kosovë, që do të na çonte në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Importi i produkteve ndotëse nga vendet tjera nuk sjell përfitime të qëndrueshme për Kosovën .

Andaj, Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovës thekson se do të mbështeste plotësisht Qeverinë dhe Ligjbërësit në kërkimin e zgjidhjeve të qëndrueshme që sigurojnë prosperitet ekonomik në Kosovë dhe zhvillimin e politikave që promovojnë dhe investojnë në ekonominë e gjelbër.

“Ky model ekonomik i cili është duke u avancuar në Britaninë të Madhe dhe Bashkimin Evropian është dhe duhet të jetë në zemër të të gjitha politikave në Kosovë  për të siguruar mbrojtjen e shëndetit dhe pasurisë së qytetarëve të tanishëm dhe të ardhshëm” thuhet në kumtesë./Motilokal.com