Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka marrë pjesë në forumin ndërkombëtarë rinor për punësim të gjelbër 2019 i cili është mbajtur në Gjakovë, temat e të cilit ishin mbrojtja e ambientit, energjia e ripërtëritshme, punësimi i të rinjve dhe edukimi.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, Ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Chrissoula Aliferi, zv. Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, znj. Gacaferri dhe drejtoresha e Byrosë Rajonale të organizatës ndërkombëtare të frankofonisë, Rennie Yotova.
Ministri Lluka në fjalën e rastit tha se gjatë 10 viteve të ardhshme parashihen të investohen miliarda euro të cilat do të gjenerojnë mijëra vende pune..
“Kosova është në fazën finale të futjes në obligime të reja karshi direktivave të Bashkimit Evropian përmes strategjisë së përbashkët rajonale për klimë dhe energji për 10 vitet e ardhshme. Kjo strategji parasheh investime miliardshe gjatë 10 viteve, të cilat do të gjenerojnë mijëra vende pune në Kosovë”, u shpreh Luka.
Ai po ashtu tha se nëse kujdesemi që të arsimojmë të rinjtë, punësimi i gjelbër do të jetë gjeneruesi më i madh i vendeve të punës.
“Kosova është vendi më i ri në Evropë. Rinia, nëse angazhohet si duhet, është aseti më i madh i saj dhe kjo është grup mosha më e rëndësishme e popullsisë. Punësimi i gjelbër, do të jetë punë gjeneruesi kryesorë në 20 vitet e ardhshme, por ne duhet të kujdesemi gjithashtu që nuk dështojmë në edukimin e të rinjve në këto fusha”, tha Lluka. /Motilokal.com