Bien shitjet e makinave me naftë e benzinë, rritet shitja e makinave elektrike gjatë pandemisë

Bien shitjet e makinave me naftë e benzinë, rritet shitja e makinave elektrike gjatë pandemisë

Pandemia COVID-19 ka çuar në një kolaps shitjeje të makinave me naftë dhe benzinë, por çudia ka ndodhur me automjetet elektrike, të cilat kanë pësuar një bum shitjesh.

Sipas analistit të çështjeve të lidhura me automobilizëm Mattias Schmitt rreth 14.000 vetura elektrike janë shitur gjatë shtatë muajve të fundit në Evropë, më shumë sesa në Kinë në po të njëjtën periudhë.

Konsiderohet se njëra prej arsyeve se përse Evropa e ka kaluar Kinën është rritja e subvencioneve shtetërore në disa shtete, pasi industria e automobilave pritet të përfitojë nga instrumenti 750 miliardë eurosh i BE-së për rimëkëmbjen prej sëmundjes që ka goditur rëndë dhe ekonominë.

Në gjysmën e parë të vitit, shitjet e makinave ranë me 38%, megjithatë ato elektrike janë kthyer duket tashmë në trend dhe në 6 muajt e parë të 2020-ës, pësuan rritje me 8%, një ritëm shitjesh dy herë më i lartë se ai i vitit të kaluar. Mjaft njerëz nuk i duan makinat elektrike, sepse kanë shumë paragjykime; mendojnë se ato nuk janë të besueshme, apo se nuk vlejnë për distanca të gjata.

Por duket një mendësi e tillë ka nisur të ndryshojë. Problemi është se në Evropë, ato po shiten më shumë në 14 vendet më të pasura të bllokut, plus shtetet jo anëtare si Britania e Madhe dhe Norvegjia./Motilokal.com