Pas 50 vitesh rikthehet për të folezuar lejleku i rrallë në Shqipëri

Pas 50 vitesh rikthehet për të folezuar lejleku i rrallë në Shqipëri

Rikthehet pas 50 vitesh në Shqipëri për të folezuar, lejleku i rrallë (Ciconia Ciconia) në fushën e Maliqit.

“Shpendët e Shqipërisë”, kanë njoftuar se si rezultat i një hulumtimi të ndërmarrë që prej pranverës së këtij viti, folezimi i lejleku u vërejt në jo pak zona të vendit, dikur zona folezimi.

Kësisoj, “Shpendët e Shqipërisë” nxiti dhe udhëzoi vullnetarë dhe kontakte të saj për të bërë hulumtime mbi folezimin e llojit në disa zona, përfshirë këtu edhe fushën e Maliqit.

“Falë këtij hulumtimi, u arrit të vërtetohej folezimi i lejlekut në fushën e Maliqit si dhe të gjendej edhe foleja, ndërkohë që nga kjo zonë kemi raportime edhe për 2 fole të tjera të këtij lloji, që do ta çonte në 3 numrin total të foleve të lejlekut në fushën e Maliqit dhe në 9, numrin e foleve në nivel vendi”, njofton “Shpendët e Shqipërisë”.

“Vullnetarët tanë kanë filluar punën për vërtetimin e informacionit dhe gjetjen e 2 foleve të tjera. Kësisoj shpresojmë që së shpejti t’ju përcjellim sërish një lajm të mirë”, thuhet njoftim.

Lejleku është një prej shpendëve më të rrezikuar në vendin tonë, me një popullatë folezuese prej vetëm 7 çiftesh, marrë për bazë edhe gjetjen e fundit të sapo raportuar./Motilokal.com