Vermoshi bëhet me qendër të re turistike

Vermoshi bëhet me qendër të re turistike

Vermoshi është pjesë e Njësisë Administrative Kelmend, brenda kufirit të Parkut të Alpeve dhe aksesohet nëpërmjet Tamarës me rrugë automobilistike. Ky fshat karakterizohet nga arkitektura tipike e malësisë së Kelmendit. Banesat janë të shpërndara dhe aktualisht nuk ka një qendër të konsoliduar të vendbanimeve. Në lokalitet gjenden pasuri natyrore, si dhe gjurmë të ngjarjeve historike. Ruajtja e vlerave natyrore dhe kulturore është primare për këtë zonë. Zona ka vlera të larta mjedisore dhe ndërhyrjet duhet të jenë të mirë orientuara në mbrojtjen e tyre.

Për ta bërë më të lehtë aksesin në këto zona përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Qeveria ka financuar ngritjen e Qendrave turistike.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa fotografi të qendrës turistike të Vermoshit.

“Me qendrën e re turistike të Vermoshit, që pas asaj të Valbonës është e dyta në zinxhirin e ri të bujtinave të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të nxitur më tej zhvillimin e turizmit malor, duke rilindur në këtë rast godina të shkatërruara shtetërore të kohës së komunizmit, ju uroj një të dielë të bukur”, u shpreh Rama.

Fshati i Vermoshit gjendet në një lartësi 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./Motilokal.com