Amazon prezanton furgonin postier elektrik

Amazon prezanton furgonin postier elektrik

Vetëm një vit pas njoftimit për t'u bashkuar me projektin “The Climate Pledge”, Amazon ka përfunduar zhvillimin së bashku me prodhuesin kalifornian “Rivian” të furgonit të parë postar 100 për qind elektrik.

“Ajo që u prezantua sot është një automjet i bërë me porosi për nevojat e Amazon, dhe është pjesë e projektit për të arritur emisione zero CO2 deri në vitin 2040, ndër të tjera përmes përdorimit të 10 000 automjeteve elektrike të personalizuara për të bërë dërgesat tek klientët anembanë botës qysh në vitin 2022, me synimin për të krijuar një flotë furgonash ‘të gjelbër’ prej 100 000 njësive deri në vitin 2030”, theksoi Ross Rachey, drejtor i flotës së Amazon.

“Ne donim të krijonim një automjet që shoferët do të dëshironin ta ngisnin dhe që klientët do të ishin të lumtur të shihnin nëpër qytet ose të ndalonin afër shtëpisë kur të merrnin një dërgesë”, tha ai.

Furgonët e rinj elektrikë të Amazon mburren me veçori të përparuara për sa i përket sigurisë, drejtimit dhe dizajnit. Në fakt, ekzistojnë, ndër të tjera, sensorë të gjeneratës së fundit për të menaxhuar funksionet e ndihmës së drejtimit, një xham i madh për të maksimizuar shikimin për shoferin, një sistem i jashtëm kamera që lejon shoferin të ketë një pamje 360 shkallë dhe një sistem i lidhur me “Alexa” për të hyrë te navigatori dhe moti më zë.

Amazon po transformon rrjetin e saj të logjistikës në të gjithë botën duke prezantuar automjete të reja elektrike dhe duke përdorur metoda alternative për shpërndarjen e paketave. Tashmë sot Amazon poesedon mijëra automjete elektrike në të gjithë botën dhe po investon në prezantimin e stacioneve të karikimit për partnerët e saj, me qëllim zgjerimin e mëtejshëm të kësaj infrastrukture.

Përveç kësaj, këtë vit kompania do të prezantojë 1,800 automjete të reja elektrike në flotën e saj evropiane dhe 10,000 të tjera në Indi; automjetet do të qarkullojnë në 20 qytete deri në vitin 2025./Motilokal.com