Alpet shqiptare të vizituara gjatë gjithë vitit

Alpet shqiptare të vizituara gjatë gjithë vitit

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij, ku padyshim kryesojnë turistët të huaj dhe Aplet shqiptare pjesë e harkut alpin europian janë sot hapësira turistike malore më e rëndësishme.

Pikat turistike Thethi, Boga, Razma, Vermoshi, Lëpusha, Fushëzeza, Valbona, Rragami, Currajt e Epërm, etj, pjesë e Alpeve shqiptare padyshim kanë magjepsur këdo që i ka shëtitur.

Ndaj dhe zhvillimi dhe promovimi i tyre është objektiv i qeverisë shqiptare.


Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se “Alpet shqiptare janë bërë të vizitueshme në 365 ditë të vitit. Kjo falë rikualifikimit urban të qendrave të fshatrave. Në fillim ishte Valbona, më pas u vazhdua me Razmën e Tamarën. Para dy javësh përfundoi edhe qendra e Vermoshit. Tashmë, i ka ardhur radha Parkut Kombëtar Theth dhe Bogës”.


Ai ka theksuar se janë 3.5 milion dollarë investime. Të gjitha këto mrekulli të natyrës shqiptare kanë tashmë edhe dinjitetin e rikualifikimit urban si qendra të fshatrave. Përfundimi i rindërtimit të rrugëve i ka bërë të vizitueshme në çdo stinë të vitit.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të Alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2570 metra mbi nivelin e detit./Motilokal.com