Të dielën ndryshon ora, nis llogaritja dimërore e kohës

Të dielën ndryshon ora, nis llogaritja dimërore e kohës

Si çdo vit në javën e fundit të tetorit do të përfundojë ora verore, akrepat e së cilës do të kthehen 60 minuta prapa dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të marsit.

Të dielën, në orën 03:00 akrepat kthehen 60 minuta prapa duke ju mundësuar të gjithëve që të flenë një orë më tepër.

Meqenëse Evropa përfshin disa zona kohore, kalimi ndodh në kohë të ndryshme lokale.

Në vitin 2019, Parlamenti Evropian votoi në favor të heqjes së ndërrimit të orës përgjithmonë. Kjo do të jetë në dorën e secilit shtet anëtar të vendosë nëse do të qëndrojë përgjithmonë në "kohën e verës" ose do të ndryshojë orët e tyre një herë të fundit në një kohë të përhershme standarde, e njohur gjithashtu si "koha e dimrit".

Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian në vitin 1981, ndërsa në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

E kujt ishte ideja që ora të ndryshohet?

Një anglez i quajtur William Willett në vitin 1907 prezantoi idenë e ‘Kohës Verore’, në mënyrë që njerëzit të mos i çojnë kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Ai e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi se ora duhet të shtyhet për 60 minuta në katër hapa progresiv gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator.

Willett pastaj kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura./Motilokal.com