Termokos i gatshëm për t’i ngrohur qytetarët e Prishtinës

Termokos i gatshëm për t’i ngrohur qytetarët e Prishtinës

Me fillimin e muajit tetor qytetarët e Kosovës fillojnë të përgatiten për sezonin e dimrit. Ndërsa qytetarët e Prishtinës janë në pritje për fillimin e ngrohjes nga Termokosi.

Zëdhënësja për informim nga Termokosi Afërdita Uka – Fejzullahu në një prononcim për motilokal.com tha se të gjitha parapërgatitjet për fillimin e sezonit 2019/2020 për ngrohje në Prishtinë janë në përfundim.

“Parapërgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës 2019/2020 janë në përfundim e sipër. Tanimë kanë përfunduar pothuajse të gjitha punimet sa i përket riparimeve në rrjetin e ngrohjes dhe në nënstacionet termike, që kanë qenë të planifikuara me planin aksional”, u shpreh për motilokal zëdhënësja e Termokosit Afërdita Uka.

Sipas saj të gjitha përgatitjet janë duke u zhvilluar në funksion të fillimit me kohë të sezonit ngrohës, i cili sipas akteve ligjore në fuqi duhet të fillojë më 15 tetor, në rast se moti do të jetë në konditat klimatike të përcaktuara me këto akte ligjore.

Ajo gjithashtu theksoi se në koordinim të ngushtë me KEK-un, ne do të jemi të gatshëm për të filluar furnizimin me ngrohje që nga 15 tetori, nëse kushtet klimatike do të jenë të favorshme për fillimin e sezonit ngrohës.

Më tej ajo sqaroi se furnizimi me ngrohje do të vazhdojë deri më 15 prill, më saktësisht për aq kohë sa do të kenë nevojë konsumatorët tanë për ngrohje si dhe për aq kohë sa na lejohet ligjërisht të vazhdojmë furnizimin me ngrohje. /Motilokal.com