Meta dekreton marrëveshjen për blerjen e vaksinës kundër koronavirusit

Meta dekreton marrëveshjen për blerjen e vaksinës kundër koronavirusit

Teksa e cilësoi një hap me rëndësi për masat që merr shteti në luftën kundër pandemisë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar marrëveshjen për blerjen e vaksinës kundër-COVID.

Në një njoftim për mediat nga Presidenca bëhet me dije se është miratuar ligji nr. 134/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility)”.

Sipas Presidencës kjo marrëveshje “edhe pse është një hap me rëndësi në masat që ndërmerr shteti shqiptar në luftën kundër pandemisë COVID-19, mundëson mbulimin e gjetjes së vaksinës vetëm për 20% të popullsisë, apo edhe më shumë, në varësi të financimit që vihet në dispozicion nga shteti shqiptar“.

Kreu i shtetit shqiptar tha se është e domosdoshme, që çdo hap që hidhet nga Qeveria shqiptare, të jetë i mirëstudiuar, në koordinim të plotë me strukturat dhe partnerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e të Bashkimit Evropian, me qëllim për të siguruar vaksinimin në atë masë që vendi ka nevojë për përballimin e kësaj pandemie.

Për këtë arsye, Qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje, për të garantuar mbulimin me buxhetim të plotë të çdo nevoje dhe kërkese të popullatës për vaksinim”, bën me dije Presidenca e Shqipërisë./Motilokal.com